VIDEO - Prishtina shpërndan ushqim falas për njerëzit në nevojë

Komuna e Prishtinës ka rifilluar shpërndarjen e ushqimit falas, për njerëzit më asistencë sociale dhe ata në nevojë.

Shpërndarja e ushqimit po bëhet në dy pika të kryeqytetit, në lagjen ‘Aktash’ dhe ‘Tophane’.

Shpërndarja po bëhet për të gjithë njerëzit pa dallim, por Komuna kërkon që t’u jepet përparësi atyre që janë në nevojë.

Premtim Fazliu, koordinator i drejtorisë së Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, thotë se qendrën e shpërndarjes në lagjen ‘Aktash’ e vizitojnë rreth 60 deri në 80 persona në ditë.

“Dita e djeshme ishte rreth 60 persona, ndërsa sot fluksi ishte më i madh. Ndonëse kanë pasur kohë më shumë për të marrë informacion, për ndryshimin e orarit të shërbimit të shujtës së ngrohtë. Deri në momentin që po flasim, ishin hiq më pak se 80 persona, të cilët kanë marrë shujtën e ngrohtë dhe të njejtën sasi e ndajnë me familjarët e tyre”, ka thënë Fazliu.

Në komunën e Prishtinës, kuzhina popullore ka filluar të funksionojë në dhjetor të vitit 2018. Ndërsa për shkak të situatës së pandemisë së virusit COVID-19, qendrat ku shpërndahej ushqimi, pushuan së funksionuari për disa ditë.

Të enjten kryetari Shpend Ahmeti njoftoi se shpërndarja e ushqimit ka rifilluar, por që njerëzit ushqimin duhet ta marrin me vete.

Koordinatori Fazliu thotë se ekziston njëfarë hezitimi te njerëzit në këtë kohë të pandemisë, por sipas tij, Komuna i ka dezinfektuar të dyja qendrat ku bëhet shpërndarja dhe i ka marrë masat e nevojshme.

“Mirëpo ne si komunë, kemi marrë masat sipas planit të veprimi të Drejtorisë për Mirëqenie Sociale. Ku si fillim të gjitha qendrat që ofrojnë shërbimin e shujtës së ngrohtë, fillimisht janë dezinfektuar dhe pastaj, nëse mund të shihni, i kemi shenjëzuar distancën sociale, që është më së paku 1 metër e gjysmë dhe kemi dezinfektuesit e duarve. Gjithashtu, kemi ofruar dorëza dhe maska higjenike. Kësisoji,  ne kërkojmë nga të gjithë përfituesit e shujtës së ngrohtë, që të mbajnë distancën sociale dhe ushqimin ta marrin me veti”, thotë Fazliu.

Buxhetit të Prishtinës, shpërndarja e ushqimit falas për njerëzit në nevojë i kushton rreth 200 mijë euro në vit. Kurse sipas Fazliut, shpërndarja bëhet edhe gjatë ditëve të vikendit, ndërsa nuk ndalet as gjatë muajit të Ramazanit.

Sipas Agjencisë së Statistikave, në raportin e tremujorit të katërt të vitit 2019, në Kosovë kanë përfituar nga skema sociale 24 mijë e 352 familje me 98 mijë e 756 anëtarë.