Valë muralesh dekorojnë qendrën e Prishtinës

Artistë të rinj nga Mural Fest Kosova i kanë zdritur qoshet më të zymta të Prishtinës me dhjetëra intervenime përmes grafiteve, mirëpo disa kanë pasur dyshimet e tyre nëse këto vepra të reja janë në përputhje me trashëgiminë e artit urban të qytetit.

 

I fshehur prapa shtatores së Skendërbeut në sheshin me po të njejtin emër në qendër të Prishtinës gjendet i montuar një transformator elektrik.

Të quajtura ndryshe dhe më shpesh si “kuti të mëdha elektrike gri”, transformatorët paraqesin një pamje të shëmtuar që duket se janë të domosdoshme në kryeqytet, dollapë të çeliktë dhe të mbyllur që në vete kanë elementet e nevojshme për shpërndarjen e energjisë elektrike në qytet. Njëra prej këtyre kutive, në veçanti, shpërndan energjinë elektrike në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ndërkohë që artistja Ermira Murati vendosi të argëtohej me diçka të zakonshme, e tillë çfarë është furnizimi i ndërtesës së qeverisë me energji elektrike.

Edhe pse Edvard Munch nuk do të donte që kjo pjesë e famshme artistike e tij të shihej në këtë mënyrë (origjinali mund të gjendet në galerinë kombëtare të Norvegjisë), Ermira Murati beson se krejt kjo ka të bëjë me rrethanat dhe se ky është një shembull i mirë se si vendndodhja e një vepre arti mund të flasë po aq zëshëm sa dhe vetë piktura.

“E kam bërë këtë qëllimisht për shkak të situatës aktuale politike,” thotë Ermira Murati. “Gruaja që shihet duke bërtitur paraqet qytetarët e Kosovës, të cilët janë të tronditur nga gjendja aktuale”.

Gjatë së premtes dhe së shtunës së kaluar, Murati, artistja Dëbora Hetemi, dhe rreth 20 të rinj të tjerë pikturuan grafite dhe instalime të panumërta nëpër të gjithë kryeqytetin – fillimisht me një homazh tek ‘Nata e Ndritdshme” (The Starry Night) nga Vincent van Gogh e deri te ridekorimet e lezetshme dhe të animuara nëpër shtigjet për këmbësorë të qytetit të Prishtinës.

Këta artistë vijnë nga sektori rinor i Mural Fest Kosova, një festival i përvitshëm me qendër në Ferizaj që është i specializuar në projektimin dhe ekzekutimin e pikturave dhe grafiteve nëpër muret e ndërtesave në të gjithë vendin. Ata thonë për Prishtina Insight se janë të kënaqur me atë që e kanë realizuar.

“Unë mendoj se Prishtinës vërtet i duhej kjo,” thotë Dëbora Hetemi. “Nuk do ta vëreni atë qosh atje larg në qytet apo atë kutinë e rrymës që ka nevojë për një tufë ngjyrash për sa kohë është i vendosur aty. Kjo i bën këto qoshe të vogla me shumë të rëndësishme”.

Organizatorja e Mural Fest Kosova, Lebibe Topalli, thotë se, ndërkohë që ajo preferon që organizata të rrijë larg politikës, artistët e rinj me të cilët  punonte për të pikturuar pjesën artistike ‘Klithma” (The Scream)’, ajo nuk mund t’u thoshte jo atyre. “Pakënaqësia e artistëve është shprehur në mënyrë artistike si pakënaqësi,” thotë ajo.

Sipas Topallit, Komuna e Prishtinës qëndron prapa idesë që vullnetarët e Mural Fest të pikturojnë nëpër krejt qytetin edhe pse, sipas saj, atyre u janë siguruar para të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e tyre. Lebibe Topalli është mirënjohëse që komuna i ka dhënë mundësinë artistëve të rinj kosovarë të shprehen lirshëm artistikisht dhe politikisht, duke e shëndrruar qendrën e Prishtinës në një galeri arti në natyrë.

Arti mural është përdorur në Prishtinë qysh para luftës, si një metodë për të “zbukuruar” zonat gri të qytetit dhe shpërndarjen e mesazheve politike. Sipas Fitore Berishës, themelueses së Grupit të parë të Artit Mural të Prishtinës, MAG, në vitin 2003, nismat përmes muraleve duhet të planifikohen me kujdes duke pasur parasysh historinë e përdorimit të grafiteve si një formë proteste në Prishtinë, dhe natyrën e saj të përhershme dhe publike.

Ajo shprehet e pasigurt nëse një gjë e tillë është arritur këtu. “Sipas mendimit tim, muralet duhet të jenë të mirëplanifikuara dhe duhet të jenë autentike,” thotë ajo për Prishtina Insight. “Është me shumë rëndësi që ato të bëhen siç duhet, marrë parasysh faktin se këto janë vepra afatgjata nëpër hapësira publike.”

Artistë të famshëm shfaqën përreth qendrës së qytetit

Në mesin e intervenimeve më të njohura, Murati, Hetemi dhe artistët e tjerë të rinj pikturuan pikturën “Puthja” (‘The Kiss) të Gustav Klimt dhe “Busti i Gruas’ (Buste De Femme) të Pablo Picasso. Pjesëmarrësit thanë se këto murale ishin si përgjigje ndaj zhgënjimit të tyre për mungesën e galerisë dhe hapësirës muzeore në Kosovë, duke besuar se një gjë e tillë do të kontribuojë drejt një mirëkuptimi të zakonshëm se arti është i paarritshëm, që rezulton me një mosinteresim për artin e pikturës si pjesë e kulturës shqiptare.

Sipas Hetemit, ekspozimi i punës së artistëve të famshëm ndërkombëtarë u ofron mundësinë njerëzve që ta shohin artin më me ndikim në botë për të cilin njerëzit mund të mos kenë njohuri. “Piktura është pjesë e madhe e kulturës, mirëpo kultura jonë sot duket të jetë e painteresuar apo nuk e ekspozon llojin e artistëve që kemi pasur,” tha ajo. “Kjo histori artistike e Kosovës nuk është pjesë e shfaqjeve apo nuk nderohet në të njëjtën mënyrë, andaj më jep një ndjenjë të tmerrshme.”

Berisha nuk pajtohet me këtë, me faktin se format e reja të shprehjes artistike, përfshirë popullaritetin në rritje të pikturës murale, janë dëshmi që tregojnë pikërisht të kundërtën. “Sidomos arti në hapësirat publike është shumë më i qasshëm sesa ishte dikur,” tha ajo. “Në vitin 2003 kur fillova me Grupin e Artit Mural, kisha pasion dhe qëllim për t’i zbukuruar ndërtesat e vjetra gri të qytetit pas luftës në Kosovë. Mirëpo, atëherë, ishte shumë sfiduese për ta bërë një gjë të tillë vetë. ”

Si përgjigje ndaj bindjes të tyre se Kosova nuk ka pasur mundësinë t’i nderojë artistët e saj, pjesëmarrësit e Mural Fest gjithashtu kanë pikturuar disa nga pikturat më të famshme nga Ibrahim Kodra, një piktor shqiptar i rrymës post-impresioniste.

Sipas Hetemit, përkundër rëndësisë që ka Kodra në kulturën artistike shqiptare, ajo beson se arti i tij mezi njihet këtu. “Ai ishte një nga artistët që solli me të vërtetë një mënyrë të pazakontë të artit të pikturës në Shqipëri,” thotë ajo. “Ai i dha një kahje komplet tjetër mundësisë për forma më alternative arti.”

Ajo dhe Murati janë të sigurta se muralet të tyre të shfaqura nëpër krejt qytetin do t’ia mundësojnë publikut të kuptojnë se sa shumë talent artistik ka në Kosovë, të cilët meritojnë të nderohen.

Kjo është ajo që Mural Fest është përpjekur të arrijë përgjatë pesë viteve të fundit, thotë Topalli. Vetëm në vitin 2019, Mural Fest qëndronte prapa dy veprave arti të mëdha në Prishtinë, njëra e pikturuar si pjesë e festivalit FemArt në bashkëpunim me artistin holandez Judith van Leeuv, dhe një tjetër e përfunduar nga vullnetarët e Mural Fest si pjesë e Javës së BE-së për Diplomaci dhe Klimë.

Topalli shpreson që këto murale do ti ofrojnë një shans qytetarëve që ta shohin qytetin më ndryshe, dhe kjo mund të inkurajojë të rinjtë të ndërmarrin iniciativat e tyre artistike diku tjetër. “Aktualisht, njerëzit këtu e shohin artin akoma si diçka luksoze, mirëpo, tashmë, ne po e vërejmë teksa një gjë e tillë po ndryshon ndërkohë dhe se më shumë njerëz po fillojnë të mësojnë për këtë art,” thotë ajo.

Sidoqoftë, Berisha ka shqetësimet e saja për iniciativën e Mural Fest. Në muajin tetor, kjo artiste ishte autore e modelimit dhe muralit të aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari, i përfunduar gjatë orëve të natës dhe pa ndonjë leje paraprake, në murin e ndërtesës së Kinemasë ABC në qendër të Prishtinës. Mirënjohja e saj ishte pjesë e një përkujtimi të mbajtur për nder të Deharit, vetëm një javë pasi një institut mjeko-ligjor nga Zvicra e publikoi një raport i cili thoshte se ekzistonte mundësia që Dehari te jetë vrarë gjatë kohës sa ishte në paraburgim në vitin 2016.

Sipas Berishës, artistët e muraleve duhet ta kenë parasysh faktin sa herë që vendosin ti pikturojnë muret e Prishtinës. “Grafitet janë përdorur si një formë revolte kundër situatave thellësisht politike që kanë ndodhur këtu në këto 21 vitet e fundit,” tha Berisha për Prishtina Insight. “Me portretin e Astrit Deharit, ashtu sikurse edhe me ato mbishkrimet (etiketat) që pyesin se ku është Ukshin Hoti, unë kam shprehur zemërimin tim si nënë dhe si qytetare.”

Sipas Berishës, ajo ka respekt për artin mural atëhere kur ai bëhet si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj dështimeve të një qeverie, mirëpo në mungesë të një planifikimi të duhur, këto porosi mund të kuptohen gabimisht dhe mund të shihen si jo autentike. “Aty ku pikturohen, muralet duhet ta bëjnë zonën të duket më bukur, por edhe deklarimet e tyre duhet të jenë të qarta gjithashtu” tha ajo.

Një nga muralet e vendosura përreth qytetit ishte një portret i Salvador Dalit, i cili mbulonte edhe një etiketë ku bëhej thirrje për Republikën e Kosovës që daton nga vitet ‘90 dhe një vepër arti e artistit francez të grafiteve Thomas Vuille. Berisha beson se për aq kohë sa nuk ka një argument në favor të mbulimit të këtyre mbishkrimeve, muralet duhet të bëhen për arsye të drejta.

“Ishte aty për një kohë të gjatë, pse të mos e mbulojmë dhe të krijojmë diçka që tregon se Prishtina tashmë ka hapur një kapitull të ri?” ajo tha. “Mund  të zëvendësohet me diçka më kuptimplote, diçka që zgjat shumë.”

Sipas Hetemit, janë disa pjesë të përfunduara nga të rinjtë e Mural Fest që synojnë të japin porosi të tilla. Duke pikturuar një ripunim (rikrijim) të vogël të veprës ‘Krijimi i Adamit’ (The Creation of Adam) të piktorit të famshëm, Michelangelo, e cila gjendet në tavanin e ‘Kishëzës Sistine’ (the Sistine Chapel) në Romë (dhe gjithashtu në një mural më të madh të kompletuar nga Mural Fest në Ferizaj), pjesëmarrësit e tjetërsuan këtë imazh të famshëm të dy duarve duke kapur njëra-tjetrën duke dhënë një porosi antiraciste.

“Mund të shihni dorën e një personi të bardhë dhe një personi të zi dhe ata janë të rrethuar me simbole paqeje,” thotë Hetemi. “Kjo është një porosi e rëndësishme marrë parasysh vdekjen e fundit të George Floyd, mirëpo fokusimi ynë këtu ka të bëjë me atë se askush nuk duhet të vdes në mënyrë që ne t’i kushtojë vëmendje racizmit, dhe se racizmit në Kosovë nuk i kushtohet vëmendje e mjaftueshme. ”

Edhe intervenimet më të lehta nga Mural Fest kanë si qëllim dërgimin e një porosie, thanë ata. Pjesëmarrësit pikturuan mbi disa mbishkrime elementare me grafite dhe infrastrukturë të dëmtuar apo të prishur përreth qytetit, duke u tallur me ndërtesat që janë katranosur si mos më keq.

“Ndërkohë që këto mund të duken komike, ato shpërfaqin një lloj proteste që kërkon ndryshim,” thotë Topalli, duke sqaruar se puna e tyre duhet të tërheqë vëmendjen e qytetarëve si pronarë të këtyre hapësirave publike, si dhe përgjegjësinë institucionale për t’i kushtuar sa më shumë kujdes  qytetit dhe ambientit.

“Përmes artit, ne mund ta japim kontributin tonë për ndryshime, artistët tanë po ngrisin zërin e tyre ndaj këtyre mangësive shoqërore, probleme sociale që janë shqetësuese për neve si shoqëri. Qëllimi ynë është të inkurajojmë të rinjtë që të jenë krijues përmes këtij angazhimi,” thotë Topalli.

 

Ky shkrim fillimisht është publikuar në Prishtina Insight.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!