Foto: Ilustrim

Prishtina vazhdon projektin për pikat ushqyese të qenve endacakë

Komuna e Prishtinës dje ka nënshkruar kontratë me vlerë 7500 euro për pikat ushqyese të qenve endacakë.
Operatori ekonomik që është përfitues i kësaj kontrate është kompania “AL-TEC” SH.P.K.

Ky projekt për herë të parë u miratua më 24 dhjetor të vitit 2019 për ushqimin e qenve endacakë.

Kontrata e parë hyri në fuqi në muajin janar të këtij me zgjatje deri në fund të muajit prill.

Muhedin Nushi, nënkryetar në Komunën e Prishtinës, atë kohë pati deklaruar se synimi i këtij projekti është që të ushqehen qentë që rrinë vazhdimisht në Prishtinë.

Janë pesë pika nëpër të cilat shpërndahet ky ushqim: Termokiss afër Termokosit, Mati 1, Rruga C, Stacioni kryesor i autobusëve dhe Bërnicë e epërme.

Prishtina po ashtu ka pasur në plan që gjatë këtij viti të fillojë ndërtimin e strehimores në Hajvali për të cilën janë ndarë 1.2 milionë euro dhe është mbajtur edhe dëgjim publik më 20 korrik të këtij viti, por kryetari Ahmeti deklaroi se nuk dihet ku janë paratë e ndara për strehimore.

Në anën tjetër pothuajse cdo ditë raportohet për sulme nga qentë endacakë nëpër qytet, e kjo dukuri zakonisht përkeqësohet gjatë stinës së dimrit.