Pse numri i njerëzve të vaksinuar që vdesin nga COVID-19 nuk do të thotë se vaksinat janë joefektive?

Ish-sekretari amerikan, Colin Powell vdiq të hënën nga komplikimet e COVID-19. Familja e tij njoftoi se ai ishte plotësisht i vaksinuar. Ai ishte 84 vjeç dhe kishte mieloma të shumëfishta, një kancer gjaku.

Zyrtarët shëndetësorë shqetësohen se aktivistët kundër vaksinave do të arsyetohen pas vdekjes së Powell për të pretenduar se vaksinat nuk funksionojnë. Nëse dikush mund të vdes pasi jetë vaksinuar për COVID-19, cili është qëllimi i marrjes së vaksinës?

Cila është përgjigja për atë pyetje? Kjo u diskutua me analisten e mjekësisë të CNN – Dr. Leana Wen, një mjeke urgjence dhe profesoreshë e politikave dhe menaxhimit shëndetësor në Shkollën e Shëndetit Publik të Institutit Milken të Universitetit George Washington, raporton CNN.

Ajo është gjithashtu autore e një libri të ri, “Lifelines: Udhëtimi i një doktori në luftën për shëndetin publik”.

CNN: Kur shohim njerëz të vaksinuar që vdesin nga COVID-19, cili është shpjegimi juaj, a ia vlen që vaksinat të merren ende?

Dr. Leana Wen: Ne duhet të fillojmë me shkencën dhe atë që tregon hulumtimi. Vaksinat kundër COVID-19 janë jashtëzakonisht efektive në parandalimin e sëmundjeve dhe veçanërisht sëmundjeve të rënda. Të dhënat më të fundit nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tregojnë se ato i reduktojnë gjasat e testimit pozitiv për COVID-19 me gjashtë herë dhe gjasat e vdekjes me 11 herë.

Kjo do të thotë që nëse jeni të vaksinuar, keni gjashtë herë më pak të ngjarë të infektoheni me COVID-19 sesa dikush që nuk është i vaksinuar. Dhe ju keni 11 herë më pak të ngjarë të vdisni nga COVID-19 në krahasim me një person të pavaksinuar. Kjo është diçka vërtet e shkëlqyeshme.

Sidoqoftë, vaksinat kundër COVID-19 nuk ju mbrojnë 100%. Asnjë vaksinë nuk e bën, thjesht ka të ngjarë që praktikisht asnjë trajtim mjekësor të mos jetë 100% efektiv. Kjo nuk do të thotë që vaksina nuk funksionon, ose se nuk duhet ta merrni atë.

CNN: A ka më shumë të ngjarë që disa njerëz të kenë pasoja të rënda nga COVID-19, pavarësisht vaksinimit?

Wen: Po, dhe bazuar në atë që mësuam, gjenerali Powell ishte pjesë e kësaj kategorie njerëzish. Ne e dimë se individët që janë më të vjetër dhe me sëmundje tjera shoqëruese kanë më shumë gjasa të vuajnë nga sëmundje të rënda dhe të vdesin pas infeksioneve të mëdha. Ata në rrezik të veçantë janë njerëzit me imunitet të dobët. Të kesh mielomë të shumëfishta kjo e bën gjeneralin Powell të jetë pjesë e kësaj kategorie dhe, përveç moshës së tij të shtyrë, do ta shtonte edhe nivelin e rrezikut.

Duhet nënvizuar se kjo është një nga arsyet për të cilat rekomandohen dozat përforcuese. Në muajin gusht, zyrtarët federalë të shëndetësisë rekomanduan që njerëzit me imunokompromis të moderuar ose të rëndë, të cilët kishin marrë vaksinat Pfizer ose Moderna, të merrnin një dozë të tretë të vaksinës. Ata paralajmëruan se edhe me dozën shtesë, individët me imunitet të kompromentuar duhet të marrin masa paraprake shtesë. Kjo ndodh sepse kjo është një kategori njerëzish që janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj rezultateve të rënda.

CNN: Ju keni thënë më parë se vaksinat funksionojnë më mirë kur të gjithë i marrin, apo jo?

Wen: Pikërisht. Mendoni për vaksinën kundër COVID-19 si një mushama shumë të mirë. Punon shumë mirë për t’ju mbrojtur gjatë një kohe me shi. Por nëse gjendeni në një stuhi, dhe pastaj vjen një uragan, ka një shans shumë më të madh që të lageni. Kjo nuk do të thotë që mushama juaj është e dëmtuar. Do të thotë që jeni në mot të keq, dhe mushamaja si e vetme nuk mund t’ju mbrojë gjithmonë.

Nëse shumë viruse janë përreth jush, kjo rrit mundësinë tuaj për t’u infektuar. Problemi nuk është vaksina – problemi është aty se ka shumë viruse përreth jush.

Kjo është arsyeja pse çelësi është që të vaksinohen sa më shumë njerëz. Kjo zvogëlon shkallën e përgjithshme të infeksionit dhe përfundon duke mbrojtur të gjithë. Dhe, nëse jeni në një zonë me shumë viruse, mbajtja e një maske në hapësira të mbushura me njerëz shton një nivel shtesë mbrojtje.

Dhe të mos harrojmë se ne gjithashtu vaksinohemi për të mbrojtur më të prekurit mes nesh, të cilët kanë rrezik të madh për pasoja të rënda.

Një studim i 13 shteteve gjatë gjashtë muajve tregoi se individët e vaksinuar plotësisht përbënin vetëm 4% të të gjitha hospitalizimeve nga COVID-19.

Njerëzit e pavaksinuar kanë 17 herë më shumë gjasa të hospitalizohen për coronavirus sesa të rriturit e vaksinuar plotësisht, sipas studimit të CDC-së. Ata që përfundojnë me të shtrirë në spital kanë më shumë gjasa të jenë më të vjetër dhe të kenë sëmundje tjera shoqëruese, siç thamë më sipër.

CNN: Cilat janë gjërat e tjera që do t’iu thoshit atyre që nuk besojnë se vaksina është efektive?

Wen: Unë do t’iu kërkoja atyre të mendojnë për aspekte të tjera të mjekësisë. Le të themi se dikush ka sëmundje të zemrës. Ka ilaçe për të trajtuar sëmundjet e zemrës, por ato nuk janë 100% efektive – asgjë nuk është 100% efektive. Vetëm për shkak se dikush përfundon me një përkeqësim të sëmundjes së tij dhe në spital, nuk do të thotë se ilaçet nuk ia vlen të merren.

Ose le të marrim një shembull parandalimi. Le të themi se dikush që ha një dietë të shëndetshme dhe ushtron shumë akoma përfundon me presion të lartë të gjakut dhe diabet. Kjo nuk do të thotë që dieta dhe stërvitja nuk janë të mira për t’u bërë. Thjesht do të thotë që ju mund të ndërmerrni të gjitha hapat e duhur për të parandaluar një sëmundje, por ndonjëherë ju prapë mund të sëmureni.

Një nga enigmat kryesore në shëndetin publik është se puna që bëjmë është për parandalim. Ndërkohë që shihni rezultatin përfundimtar edhe kur parandalimi dështon, ju nuk jeni në gjendje t’i shihni të gjitha jetët e shpëtuara për shkak të masave parandaluese.

Një studim i mbështetur nga Institutet Kombëtare të Shëndetit zbuloi se vaksinat COVID-19 parandaluan më shumë se 139,000 vdekje në pesë muajt e parë. Deri më 9 maj, rreth 570,000 vdekje nga COVID-19 janë regjistruar në Shtetet e Bashkuara. Pa vaksina, numri i vdekjeve mund të kishte shkuar në 709,000.

Konkludimi është se vaksinat funksionojnë. Ato zvogëlojnë gjasat për t’u infektuar dhe për t’u sëmurë rëndë dhe për të vdekur pastaj. Ato nuk janë 100% efektive sepse asgjë nuk është.

CNN: A munden vaksinat gjithashtu të parandalojnë një ringjallje të virusit këtë dimër?

Wen: Po. Është inkurajuese që numrat e infeksionit COVID-19 po bien nga vala e tmerrshme Delta këtë verë. Sidoqoftë, një valë tjetër infeksionesh është e mundur, veçanërisht me vetëm 57% të popullsisë amerikane të vaksinuar plotësisht. Unë pajtohem me Dr. Anthony Fauci, i cili tha këtë fundjavë se “do të jetë brenda aftësive tona për të parandaluar që kjo të ndodh … Shkalla në të cilën ne vazhdojmë të zbresim në atë pjerrësi do të varet nga ajo se sa suksesshëm jemi duke arritur të vaksinojmë sa më shumë njerëz”.

Në fund të fundit, çelësi për ta zvogëluar rrezikun e të gjithëve nga COVID-19 dhe për t’i dhënë fund pandemisë – është që të gjithë ne të vaksinohemi. Kjo na mbron ne dhe ata përreth nesh.