
PSD me aksion para ekzekutivit, i mbushin me stikera të KEDS e KESCO veturat qeveritare
Partia Social Demokrate ka zhvilluar një aksion në oborr të Qeverisë duke vendosur stikera në veturat zyrtare të Qeverisë së Kosovës.
Aktivistët e PSD-së kanë vendosur stikera me logo të KEDS në veturat qeveritare.
“Veturave të Qeverisë sot ua vendosëm tabelat treguese. Këto tabela janë në përputhje të plotë me funksionin e vërtetë të Qeverisë”, thuhet në njoftimin e Partisë Social Demokrate.
Sipas PSD-së, Qeveria e Republikës së Kosovës është në shërbim të KESCO-s, pasi sipas tyre kanë vendosur të ia japin 90 milionë euro.
“Të shtunën mbrëma, në një mbledhje të parregullt dhe pa asnjë shpjegim, buxheti për kompaninë KESCO u rrit nga 75 në 90 milionë. Ende pa vendim të ZRE-së për çmimin dhe pa asnjë zhvillim të ri, 15 milionë u shtuan. Pse? Kjo veçse tregon që Qeveria, KEDS dhe ZRE janë e njëjta gjë” thuhet në reagimin e PSD-së.
PSD me 29 janar kishte protestuar kundër shtrenjtimit të mundshëm të energjisë elektrike.
Disa ditë pas protestës Policia e Kosovës kishte arrestuar Dardan Molliqaj për sulm ndaj personit zyrtar.