Foto: ORCA/Facebook

ORCA me aksion simbolik, kërkon që kolegjet private të bëhen organizata jofitimprurëse

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka zhvilluar sot një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, përmes së cilit ka bërë thirrje që për kolegjet private të ndërrohet statusi, nga biznese në organizata jofitimprurëse.

Sipas kësaj organizate, kolegjet private janë dëmtuesit më të mëdhenj të cilësisë së Arsimit të Lartë në Kosovë.

“Kolegjet private në Kosovë janë biznese, dhe kjo nuk është një shprehje metaforike, por një e vërtetë administrative. Imagjinoni, kolegjet private dhe marketet në Kosovë, regjistrohen njëjtë, si biznese profitabile. Tregtari dhe edukatori të regjistruar nën statusin e njëjtë, atë të organizatës fitimprurëse”, thuhet në reagimin e tyre.

Përmes këtij aksioni ORCA ka kërkuar që në projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim për të cilin sot po mbahet dëgjim publik nga Komisioni për Arsim, të përcaktohet qartë se akreditim do tu ofrohet vetëm institucioneve dhe organizatave jofitimprurëse.

“Kolegjet private duhet ta ndërrojnë statusin e tyre nga biznese në organizata jofitimprurëse. Vetëm kështu, do të bëhej e mundur që parat e mbledhura nga sukseset e tyre të mos përfundonin në xhipa e villa të pronarëve të tyre, apo në xhepat e policëve, gjyqtarëve, prokurorëve, zyrtarëve ministror, deputetëve e ministrave, por në investim për laboratore, institute, revista, biblioteka”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje thuhet se shpërputhja e aftësive që fitojnë studentët në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë me nevojat e tregut, është diskrepante dhe një problem ekonomik e social që po krijon pasoja serioze.

“Kolegjet private janë thjesht dhe vetëm diplomore, ku shumica shkojnë sa për ta marrë një diplomë. Institucionet kontrolluese e ligjzbatuese në Kosovë e shohin këtë proces sikur të ishte duke ndodhur në ndonjë kontinent tjetër”, thuhet në reagim.

Sipas kësaj organizate kolegjet private duke qenë biznese, deri sot kanë arritur që në secilin pushtet të kenë aleatë.

“Ministrat e qeverisë së majtë Kurti po nënshkruajnë memorandume me kolegje private ku punojnë vet, ku punojnë familjarët e kolegëve të tyre apo vet kolegët e tyre, për t’i hapur rrugë zhvatjes së parasë publike nga këto kolegje”, thuhet në reagimin e ORCA.

Po ashtu ORCA ka theksuar se këto konstatime vijnë pas pesë vitesh monitorim nga kjo organizatë.

“Pas 5 vitesh monitorim të vazhdueshëm të Agjencisë së Akreditimit, Qendrës për njohjen e diplomave NARIC dhe proceseve të Arsimit të Lartë në Kosovë, ORCA me kompetencë të plotë konstaton se shkaktari kryesor, por jo i vetëm, i shkatërrimit të vazhdueshëm të cilësisë së Arsimit të Lartë janë kolegjet private”, është thënë tutje në njoftim.