VIDEO - QIKA me aksion simbolik para Qeverisë, kundërshtojnë taksën për produktet menstruale

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), ka organizuar një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar heqjen e taksës 18% për produktet menstruale.

“Gratë e Kosovës shpenzojnë mesatarisht rreth 21 milionë euro në vit për produkte menstruale. Prej tyre 3 milionë shkojnë për TVSH. Sot i sollëm pecetat me ngjyrë të kuqe para Qeverisë, zaptuam shkallët për të iu bërë me dije që varfëria menstruale ekziston. Shumë gra nuk mund të përballojnë blerjen e pecetave” – ka thënë Leonidë Molliqaj nga kjo organizatë.

“Shteti po i takson gratë për diçka që është krejtësisht jashtë kontrollit të tyre. Higjiena menstruale nuk është zgjedhje dhe nuk duhet të taksohet” – shtoi ajo.

“QIKA” ka ftuar deputetët e Kuvendit që t’i bashkohen iniciativës së tyre për të marrë një nismë legjislative, përmes të cilës pecetat menstruale dhe tamponët të lirohen nga tatimi i vlerës së shtuar dhe të kategorizohen si mall i liruar nga tatimi doganor.

Aksioni është zhvilluar tek shkallët e objektit të Qeverisë, ku janë vendosur peceta higjenike.