Protesta e grupit “Asnji cent ma shumë” kundër shtrenjtimit të mundshëm të rrymës

Sot protestohet kundër shtrenjtimit të rrymës

Partia Socialdemokrate ka paralajmëruar përsëri protestë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Protesta sipas paralajmërimeve do të mbahet sot (e shtunë) në orën 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”.

“Qeveria ka marrë anë. Është rreshtuar me bizneset e mëdha private. Të vetmit që nuk do të preken nga rritja e rrymës. Është koha të marrim anë edhe ne. Ne qytetarët që do t’ua paguajmë rrymën oligarkëve. Është koha të organizohemi kundër kësaj padrejtësie. Të shtunën, më 29 janar, në orën 14:00, nisemi nga sheshi “Zahir Pajaziti” për të protestuar kundër këtij shtrenjtimi të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin në Facebook.

Më 26 janar është protestuar për të njëjtën arsye në sheshet e Prishtinës.

Më 31 janar 2022 përfundon faza e konsultimit publik për propozimin e ZRrE-së për vendosjen bllok-tarifës.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kËh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 cent për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ultë apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 cent është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.

Rregullatori ka treguar disa shembuj se sa do të rriten tarifat e energjisë elektrike pas aplikimit të kësaj rritje. Konsumatorët që kanë shpenzuar 600 kilovat nuk do të kenë rritje të çmimit, rrjedhimisht do të paguajnë një faturë prej rreth 35.86 euro (niveli i faturës mund të ndryshojë në vartësi të konsumit që bëjnë gjatë natës dhe ditës).

Kurse konsumatorët që shpenzojnë 800 kilovat me rritjen e aplikuar do të kenë një faturë prej 59.50 euro apo 12.31 euro më shumë se fatura që kanë paguar deri më tani. Kurse, konsumatorët që do të konsumojnë 1000 kilovat dhe që deri tash kanë paguar 58.52 euro do të paguajnë 83.14 euro apo një rritje prej 23.6 euro.

Janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit preken nga rritja e çmimit të rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Sipas të dhënave të KEDS-it, konsumin prej 600 kËh e tejkalojnë 31% apo 195,300 konsumatorë të amvisërisë gjatë sezonës së dimrit. Ndërsa, 21% të konsumatorëve gjatë sezonës së verës.