FOTO: KALLXO.com

PSD me aksion simbolik pranë zyrave të EULEX-it në Prishtinë

Partia Socialdemokratike (PSD) ka mbajtur një aksion simbolik para zyreve të EULEX-it në Kosovë, për të kundërshtuar Gjykatën Speciale.

Nëpër muret e rrethojave para zyreve të EULEX-it aktivistët e kësaj partie shkruajtën në gjuhën angleze shkruajtën fjalinë “Jo në emrin tim”

FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com

“Jemi këtu përballë zyreve të Eulex në Kosovë apo selisë së dhomave të specializuara të ashtuquajra Gjykata Speciale, është vendi ku janë marrë në pyetje me qindra luftëtarë të lirisë për krimet e supozuara që edhe ata i kanë bërë” – tha para mediave, sekretari i PSD-së, Nol Nushi.

Ai shpjegoi se qëllimi i këtij aksioni rrjedh prej gjykimit të fundit që u dha nga Gjykata Speciale.

“Këtu po shkruan “Not in my name” që në shqip do të thotë “Jo në emrin tim”. Kjo rrjedh prej gjykimit të fundit që e pamë që përveç dënimit maksimal që na tronditi të gjithëve shprehja që thoshte që ky gjykim është në emër të popullit ishte ajo që ishte e papranueshme për pothuajse secilin qytetarë të Kosovës”.

Nushi tutje tha se Gjykata Speciale nuk është gjykatë e popullit.

“Në fillim të seancës ku gjyqtarja dëshiron ta dënojë komandant Calin, ajo fillon me një arsyetim shumë të madh politik se pse kjo gjykatë qenka gjykatë e popullit. Normalisht ato gjykata që veprojnë në emër të popullit nuk japin këso arsyetime” – tha ai.

Sipas tij, pikërisht ai arsyetim i asaj gjyqtareje tregon se ajo gjykatë nuk është e atij populli dhe nuk buron nga vullneti i popullit.

“Ne nuk jemi kundër drejtësisë, nuk jemi kundër çfarëdo gjykimi që ka për thelb drejtësinë, mirëpo drejtësia speciale nuk është drejtësi, drejtësia selektive nuk është drejtësi, ajo është konfirmim i padrejtësisë dhe po i bëhet dëm i madh Kosovës në secilin aspekt edhe në historikun e luftës së saj çlirimtare dhe në bazat e saj që është pavarësia që vjen nga lufta e drejtë e UÇK-së” – tha tutje ai.

Po ashtu, PSD-ja ka paralajmëruar një protestë për të shtunën 24 dhjetorit në ora 14:00 Prishtinë, për të kundërshtuar, sipas tyre, Gjykatën Speciale. Kjo protestë e PSD-së u organizua tek pas shqiptimit të dënimit të parë të kësaj gjykate, ndaj ish komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, i cili nga shkalla e parë e Gjykatës u dënua me 26 vjet burgim për krime lufte.

Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme PSD ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, kërkesën për amandamentimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Një një deklarim para gazetarëve, kryetari PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se kërkesa iu është drejtuar të gjithë deputetëve, përveç atyre të Listës Serbe.