PSD ende nuk e di nëse do të garojnë në zgjedhjet lokale 2021

Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur të mërkurën konsultimet me disa parti politike për të diskutuar për datën e zgjedhjeve lokale në këtë vjeshtë. Ditëve në vazhdim, presidentja pritet të vendosë për datën e zgjedhjeve lokale.

Partia Social Demokrate e udhëhequr nga Dardan Molliqaj ende nuk kanë vendosur nëse do të jenë pjesë e garës zgjedhore për komunat e Kosovës.

Në një prononcim për KALLXO.com, zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi tha se ende nuk e kanë diskutuar në organe të partisë këtë çështje.

“Ky vendim merret në mbledhjen e Kryesisë që kemi me mbajtë dhe me diskutu. Nuk e kemi vendosur ende. Jemi duke u marrë me peticionin momentalisht, ende s’kemi vendosur për mbledhjen e kryesisë”, tha Kuçi për KALLXO.com.

PSD zyrtarisht udhëheq me një komunë në Kosovë. Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati është pjesë e PSD-së.

Ndërsa në të kaluarën ka qenë edhe kryetari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, mirëpo që para pak kohës është larguar nga PSD.

PSD ishte reformuar si parti, duke u angazhduar në të shumë ish zyrtarë të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në Prishtinë nuk është kryetari i jonë. Shpend Ahmeti nuk është më pjesë e PSD-së. Udhëheqja në Komunë të Prishtinës nuk është e PSD-së. Ne kemi asamblistë tanë. Për Komunat tjera dhe për Kamenicën ende nuk është vendosur nëse do të kandidojmë ose jo”, tha tutje Kuçi.

Që prej se PSD është reformuar me ish zyrtarë e aktivistë të LVV-së, ka marrë pjesë në vetëm një proces zgjedhor.

Në zgjedhjet parlamentare 6 tetorit të 2019, PSD kishte qenë pjesë e koalicionit parazgjedhor me AAK-në, por që asnjë nga kandidatët nuk kishte marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti, PSD kishte vendosur të mos i hyjë garës zgjedhore.