Protestohet për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit, familja e avokati me akuza për prokurorinë

Në 7 vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, sot u protestua përballë Prokurorisë Speciale në Prishtinë, duke kërkuar zbardhjen e vdekjes së tij.

“U mbajt pa gjykim, po mbahet pa hetim”, “ Ne jemi Astrita”, “Prokurori mos flej, heto rastin”, “Drejtësi për Astritin” janë disa prej mesazheve të lëna në rrethojat e prokurorie.

https://www.facebook.com/kallxo/videos/710669887598567

Protesta u kryesua nga familja e Astrit Deharit dhe nga avokati i tyre, Tomë Gashi.

Ata akuzuan prokurorinë për fshehje e manipulim të rastit.

Babai i Astrit Deharit, Avni Dehari tha se që nga zhdukja e mostrave të Astrit Deharit, avokati ka dërguar kërkesë në prokurori për çdo muaj, për të kuptuar se ku ka arritur rasti, por tregoi se nuk kanë marrë asnjëherë përgjigje.

Ai tha se prokurori i parë i rastit, Sylë Hoxha u mundua ta mbyllë këtë rast si vetëvrasje, derisa doli në pension.

“Si duket edhe Afrim Shefkiu, pasuesi i tij e ka mësuar mirë rrugën. Edhe ai do të manipulojë me këtë rast derisa të dalë edhe ai në pension, që pastaj të mbetet i qetë që e ka kryer detyrën që ia kanë dhënë urdhërdhënësit e tij për ta shpallur si vetëvrasje rastin e Astritit” – tha Avni Dehari.

Ai shtoi se arrestimi i Astrit Deharit ka qenë i inskenuar, dhe këtë sipas tij e dëshmon fakti se shokët e tij janë shpallur të pafajshëm.

“Vetë fakti që për 7 vjet nuk e zbardh rastin flet shumë se është një drejtësi e manipuluar nga vetë prokurorët” – shtoi Dehari.

Avokati Gashi tha se nuk i dijnë arsyet e moszbardhjes së rastit, por tha se besojnë që prokuroria nuk ka arsye ligjore për mosxjerrjen e së paku një aktvendimi për zhvillimin e hetimeve në zbulimin e vrasësve, personave që shtynë vrasjen e atyre që fshehën vrasjen e Astrit Deharit.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ka vdekur më 5 nëntor 2016 teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Ai kishte qenë në paraburgim, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të datës 4 gusht 2016.

Rrethanat e vdekjes së 26-vjeçarit ende mbetën të pasqaruara dhe nuk dihet se çfarë saktë kishte ndodhur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit.

Deklaratat e para pas vdekjes së Deharit, ishin se i njëjti kishte përdorur medikamente dhe kishte vrarë veten, ndërsa më pas deklaratat ndryshuan në atë se i njëjti kishte probleme me frymëmarrje.

Prindërit e Deharit së bashku me subjektin politik të cilës i takonte djali i tyre Astriti, kanë ngritur gjatë gjithë kohës pikëpyetje duke e drejtuar gishtin pushtetit, madje duke e quajtur vdekjen e Astritit edhe si vrasje.

Për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astritit, prindërit dhe avokati Tomë Gashi kërkuan ekspertizë nga Instituti i Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Në raportin e bërë më 24 dhjetor, Instituti i Mjekësisë Ligjore i Lozanës në Zvicër pati dhënë dhënë komentet se vdekja e Deharit ka pak mundësi të jetë vetëvrasje.

“Në rastin e z.Dehari, nëse e pranojmë hipotezën e vetëvrasjes, të dy metodat do të ishin përdorur në mënyrë sekuenciale, e para ka të bëjë me përdorimin e një objekti të mprehtë në pjesën e qafës dhe të kyçit të majtë dhe e dyta ka të bëjë me ngufatjen e llojit smithering me një shishe të plastikës. Megjithatë kjo hipotezë duket pak e mundshme për arsyet e më poshtme”, thuhej në raportin e Institutit zviceran.