Protestohet kundër politikave të Serbisë ndaj vendbanimeve shqiptare në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë

Këshilli organizativ i Kuvendit Kombëtar Shqiptar për Kosovën dhe Unioni Shqiptar i Shoqërisë Civile bashkë me banorët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kanë protestuar kundër ‘politikave të Serbisë ndaj vendbanimeve shqiptare në krahinën e Kosovës Lindore’.

“Medvegja është Dardani”; “Po na shuajnë”, “Kërkojmë kthimin e Lapidarit të UÇPMB-ës në Preshevë”, ishin disa nga mbishkrimet me të cilat marshuan një numër i protestueseve për siç thanë ata kundër politikave të Serbisë ndaj këtyre vendbanimeve.

Kryetari i Unionit Shqiptar të Shoqërisë Civile, Dashamir Uriqi thotë se kjo krahinë është e diskriminuar nga shteti serb.

“Kosova Lindore është zemra e shqiptarisë. Shqiptarët vazhdojnë të jetojnë në territore kompakte dhe përbëjnë ende sot rreth 70% të popullsisë në këto vendbanime. Problemi kryesor qëndron tek trajtimi i shqiptarëve nën Serbi në të gjitha fushat. Ata janë të pa përfaqësuar dhe diskriminuar nga shteti serb”, ka thënë Uriqi.

Ai shtoi se drejtuesit e institucioneve përkatëse janë serbë.

“Në sektorin e shëndetësisë situata është shumë e rëndë. Në Preshevë psh ku jetojnë mbi 90% shqiptarë, drejtori i shtëpisë së shëndetit është serb. Asnjëri nga drejtuesit e shtëpive të shëndetit nuk janë shqiptarë. Në spitalin rajonal të Vranjës ku rreth 40% të pacientëve janë shqiptarë, nuk gjen asnjë mjek, asnjë motër medicinale dhe as një pastruese shqiptare”, përfundoi ai.

Linda Shaqiri, koordinatore e Kuvendit Kombëtar Shqiptar, tha se Presheva, Medvegja dhe Bujanoci janë troje padrejtësisht të ndara.

“Me vite të tëra shteti serb po zhvillon diskriminim ndaj tyre. Pasivizimi i adresave me vite të tëra po zhvillohet në sy të Europës. Në sytë e Europës po zhvillohet një diskriminim dhe ne sot do i themi ndal. Ndal pasivizimit të adresave në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, pohoi Shaqiri.

Ajo shtoi se këto komuna po boshatisen sepse përfaqësia e tyre është nën përfaqësi në institucione publike.

“Nga viti 2011 po zhvillohet spastrimi etnik në këto komuna. Dhe unë si një qytetare e Medvegjës kërkoj të drejtat dhe liritë që na takojnë të gjithëve sipas konventave të cilat po shkelen”, përfundoi ajo.