Aktivistët duke u tërheq nga Policia e Kosovës, pasi kanë bllokuar Rektoratin e UP-së

Protesta te Rektorati - Shoqërohet Rron Gjinovci në Polici, lirohet pas pak minutave

Policia e Kosovës ka ndërhyrë në protestën e sotme pranë Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

Policia e Kosovës ka shoqëruar për në stacionin policor, aktivistin Rron Gjinovci.

Ai është mbajtur për disa minuta dhe pastaj është liruar dhe iu është bashkuar përsëri protestuesve, të cilin ishin mbledhur para stacionit policor në Prishtinë.

Pranë rektoratit sot gatë ditës po protestonin aktivistët e Lëvizjes Feministe Studentore (LFS)

Ekipi i KALLXO.com raporton nga vendi i ngjarjes se disa aktivistë janë tërhequr zvarrë nga Policia e Kosovës, për të zhbllokuar kështu hyrjen e Rektoratit.

KALLXO.com i ka shkruar Policisë e Kosovës se a është arrestuar nga ana e tyre Gjinovci dhe është në pritje të përgjigjeve.

Aktivistët nga data 03.04.2024 kanë kërkuar përjashtimin e profesorit Krasniqi, të cilin e kanë denoncuar 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual.

Krasniqi vazhdon të figurojë si profesor i rregullt në Fakultetin e Edukimit e në anën tjetër denoncimi për ngacmim seksual po trajtohet nga Këshilli i Etikës të UP.

Teuta, Shpresa dhe Era (emra fiktivë) janë tri vajza që në kushte anonimiteti rrëfyen në emisionin “Kallxo Përnime”, më 07.04.2024, për ngacmimet seksuale që Xhevat Krasniqi, profesor i matematikës, pretendohet se iu kishte bërë atyre derisa studionin në degën e Farmacisë në UP.

Përveç këtyre trijave në Kallxo Përnime më 07.04.2024 rrëfyen edhe 3 djem që kishin qenë dëshmitarë të këtyre ngacmimeve seksuale që ju kishin bërë vajzave nga viti 2022. Kjo është hera e parë që djemtë në Kosovë dolën publikisht të flasin për ngacmimet që u janë shkaktuar kolegeve të tyre.

“Profesori në fjalë ka fillu duke dhënë komente seksuale gjatë orëve të ligjëratave edhe ushtrimeve. Edhe duke marrë si shembull gjithmonë femrën, na është drejtu të gjitha kolegeve që jemi kanë aty se ‘Femrën kur e mbulon me jorgan i humb bukuria’, ‘Dallimi mes femrës dhe perdes’. Mandej ka pas raste ku ka thënë ‘Femrat e Istogut janë më të bukurat’, ku edhe i ka shiku koleget e mia që kanë qenë nga Istogu”- ka deklaruar ‘Teuta’, e cila zgjodhi të flasë në kushte anonimitetit nën frikën se nëse e shpërfaqë identitetin e saj, do të përballet me më shumë ngacmime.

‘Teuta’ që pretendon se është ballafaquar me fjalë ngacmuese nga Krasniqi, datën 14.02.2023 ka thënë se nuk e harron kurrë sepse sipas saj, ka qenë dita kur asnjëherë nuk është ndier më keq. Pikënisja e kësaj ditë kishin qenë rezultatet e provimit kur profesori Krasniqi e kishte rrëzuar atë nga provimi për 0.05 pikë.

 

Policia e Kosovës shpërndanë me forcë aktivistët që bllokuan hyrjen e Rektoratit të UP-së