Propozimi i ri për paga - Asistenti në Presidencë do të paguhet më shumë se infermieri, polici dhe drejtori i shkollës

Asistenti ekzekutiv në Presidencë do të paguhet më shumë se infermieri, polici dhe drejtori i shkollës bazuar në projektligjin e ri të pagave.

Projektiligji për paga ka paraparë që asistenti ekzekutiv në Presidencë të ketë koeficientin 6.

Për dallim prej kësaj pozite, infermieri, polici dhe drejtori i shkollës do të kenë koeficient më të ulët.

Sipas këtij projektligji, infermieri pritet të ketë koeficinetin 4.75 (koeficienti më i lartë te infermirët – infermier i nivelit tretësor të shëndetësisë – Bachelor), polici me koeficient prej 4.2 dhe drejtori i shkollës me koeficient 5.3.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit të Gjykatës, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkaktonte “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Ky projektligj ishte dërguar në kushtetuese më 6 dhjetor të vitit 2019 nga institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhej “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese kishte vendosur që të pezullohet zbatimi i këtij ligji, deri më 30 mars 2020. Me pastaj, Gjykata kishte vendosur ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të pagave deri më 30 qershor 2020 dhe përfundimisht më 30 qershor e kishte shpallur të pavlefshëm.

Sipas këtij ligji, paga bazë konsiderohet ajo pjesë e pagës, që përfitohet për punën e kryer me orar të plotë të punës. Vlera kësaj page bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit.

Koeficienti më i lartë sipas këtij ligji ka qenë 10. Këtë koeficient e mbante vetëm presidenti i vendit, më pas është niveli i 9, ku bënin pjesë kryetari i kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa në projektligjin e ri koeficientët janë deri në 20.

Projektligji ende nuk ka shkuar në Qeverinë e Kosovës për miratim.