Peci: Ministria e Bujqësisë për nëntë vite nuk e ka aprovuar asnjë ligj

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për mungesën e aprovimit të ligjeve që kanë të bëjnë me sektorin e bujqësisë.

Ai ka thënë se derisa ka ardhur ai ministër, për nëntë vite me radhë, Ministria e Bujqësisë nuk ka aprovuar asnjë ligj.

“Ministria e Bujqësisë deri sa unë kam ardhur ministër, për nëntë vite nuk e ka aprovuar asnjë ligj. Do të thotë asnjë ligj nuk është aprovuar për nëntë vite. Ligji për farat është aprovuar në vitin 2003, nuk është i rifreskuar me të dhënat”- ka thënë ai.

Peci kështu ka deklaruar në debatin ku po diskutohet për prodhimet bujqësore në Kosovë.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, pronari i kompanisë ‘Pestova’, Bedri Kasumi, ka thënë se një problem me të cilin përballen është edhe regjistrimi i farës.

“Për t’u regjistruar një farë e patates por edhe e grurit dhe e misrit duhet të testohet 2 vite se paku. 2 vite janë shumë. Kjo duhet të hiqet. Ligji në Kosovë thotë që çdo preparat që është i lejuar në BE duhet të lejohet edhe në Kosovë”- ka thënë ai.

Ministri i Bujqësisë ka thënë se pas një viti ligjet në sektorin e bujqësisë do të jenë të rifreskuara.

“Sot një vjet kemi me pasë legjislacion krejt të rifreskuar me praktikat me të mira evropiane dhe me masa me të lehtësuara”- është shprehur ai.