Prokuroria Speciale

Prokuroria Speciale ngrit aktakuzën e parë në mungesë për dhunim seksual gjatë luftës

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën e parë në mungesë, ndaj të akuzuarit me iniciale D.R. për dhunim gjatë lutës në Kosovë.

D.R akuzohet se në kohën e luftës në Kosovë, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.

Sipas Prokurorisë Speciale, e dëmtuara pësoi lëndime fizike në trup si dhe trauma të rënda të përhershme psikik.

Prokuria ka siguruar prova se i akuzuari, si pjesëtar i forcave rezervë ushtarake të Serbisë, në kohën e luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, kundër popullatës civile shqiptare në tërë territorin  e Kosovës, duke ditur për ekzistimin e një sulmi të tillë ka kryer veprime kundërligjore.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë Speciale, i akuzuari D.R. ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile’’.

Prokuroria Speciale ka propozuar që të mbahet gjykimi në mungesë pasi që janë shterur të gjitha përpjekjet për ta gjetur të akuzuarin.