Prokuroria Speciale: Kemi ngritur 33 aktakuza kundër 89 personave për krime të luftës në Kosovë

Prokuroria Speciale përmes një konference për media ka dhënë informata në lidhje me hetimet për krimet e luftës në Kosovë.

Prokurorja Drita Hajdari tha para gazetarëve se janë 33 aktakuza kundër 89 personave, në lidhje me krimet e luftës.

Ajo ka thënë se kjo Prokurori ka marrë kompetencat për hetimin e krimeve të luftës në fillim të vitit 2016, kurse ka pranuar rastet fizikisht me 2018.

“Në mesin e këtyre rasteve ka qenë edhe ai për masakrën e Mejës dhe shumë raste të tjera. Ju njoftoj se deri më tani janë ngritur gjithsej 33 aktakuza me 89 persona të akuzuar. Kryerësit e këtyre veprave penale nuk kanë qenë në Kosovë, kanë qenë në Serbi. Kjo ka paraqitur vështirësi në ngritjen e aktakuzave, mirëpo kjo rrethanë nuk na ka ndalë” – tha prokurorja Hajdari.

Ndërsa prokurori Ilir Morina tha se në lidhje me Masakrën e Dubravës, deri më tani janë 88 të pandehur, për të cilën masakër dje ka filluar shqyrtimi gjyqësor.

“Janë 88 të pandehur, ky hetim po vazhdon qe një kohë të gjatë. Vetëm një të pandehur e kemi në paraburgim. Për të pandehurit e tjerë vazhdojnë hetimet, masakra nuk përfundon me këtë aktakuzë, jemi duke vazhduar me hetime” – ka thënë Morina.