Prokuroria Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com
Prokuroria sekuestron 55 mijë euro para të gatshme gjatë kontrollit në dy lokacione, lidhur me rastin e Kompanisë së dyshuar për mashtrim
Prokuroria në Prishtinë ka njoftuar se ka sekuestruar 55 mijë euro para të gatshme gjatë kontrollit në dy lokacione në Komunën e Gjakovës, ndaj të dyshuarit G. G. – duke inicuar rast për “shpëlarje parash”.
Prokuroria e Prishtinës më 05.03.2025 kishte njoftuar se për këtë rast i kishte sekuestruar: 166 parcela, 2 banesa në Prishtinë dhe mbi 1 milion euro para për rastin e njëjtë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik dhe të dëmtuarit në çështjen penale kundër të pandehurit G.G., për veprën penale ‘mashtrimi’, nga Neni 323 Par.4 se në vazhdën e hetimeve ndaj të pandehurit G.G., më 12.03.2025, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka realizuar dy (2) kontrolle në Komunën e Gjakovës, me ç’rast ka sekuestruar edhe pesëdhjetë e pesë (55) mijë euro para të gatshme dhe njëkohësisht ka inicuar rast në lidhje me veprën penale ‘shpëlarja e parave’, nga Neni 56 i Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizimit.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë, më 13.03.2025.
Më 05.03.2025, Prokuroria e Prishtinës kishte njoftuar se në vazhdën e hetimeve ndaj të pandehurit G.G., për veprën penale “mashtrim”, më 05.03.2025, ka ngrirë/sekuestruar edhe 166 parcela të cilat gjenden në Komunën e Novobërdës dhe Graçanicës, si dhe 2 banesa në Prishtinë, në vlerë mbi 1 milion euro.
Sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se këto patundshmëri janë përfituar me vepër penale.
KALLXO.com kishte raportuar se fjala është për Kompaninë G&G Exclusive, ndaj së cilës Prokuroria dhe Policia kishin nisur hetime për “mashtrim” dhe “shmangie tatimore”.
Në gusht të vitit 2024, Policia e Kosovës kishte njoftuar se Kompania dyshohet se veprat penale i ka kryer nga viti 2022 deri në gusht të vitit 2024.
“Ndonëse kemi disa ankues, është ngritur dyshimi se numri i personave të cilët dyshohet të jenë të mashtruar është më i madh.” – kishte theksuar Policia e Kosovës.
Policia u kishte bërë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët mund të jenë të mashtruar nga Kompania në fjalë të paraqiten në Stacionin më të afërt Policor dhe të raportojnë rastin.