Skenderaj, konfiskohen afër 60 kilogramë marihuanë, arrestohet i dyshuari

Policia e Kosovës në një operacion të zhvilluar sot në fshatin Vajnik të Skenderajt ka gjetur dhe konfiskuar 59 kilogramë e 973 gramë lëndë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë.

Gjatë këtij operacioni është arrestuar i dyshuari E.A., viti i lindjes 1995.

Policia ka konfiskuar edhe një peshore digjitale, një mbështjellës – foli e tejdukshme dhe një telefon.

Operacioni është realizuar sot rreth orës 16:20 nga hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Njësia e  Mitrovicë Jugu, të asistuar nga njësi të tjera policore (DHTNj, NjRSH, zyrtarë policorë nga SP Skenderaj) dhe në koordinim me Prokurorinë e Mitrovicës.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari me vendim të Prokurorit të Shtetit shkon në ndalim policor deri në 48 orë.