Prokuroria jep detaje për aksionin në laboratorin e drogës në Suharekë

Me urdhër të Prokurorisë së Prizrenit, Policia e Kosovës, respektivisht Njësiti për Hetimin e Trafikimit me narkotikë në Prizren, në një aksion në Shirokë të Suharekës ka kapur në flagrancë dhe arrestuar 6 persona, katër 4 prej tyre shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe dy 2 shtetas të Kosovës nën dyshimin për veprën – kultivim të bimëve narkotike.

Në një njoftim të Prokurorisë së Prizrenit thuhet se lidhur me këtë rast hetimet kanë filluar me 4 shkurt 2022, ndaj tre personave, njëri nga ta është arrestuar sot.

Në njoftim tutje potencohet se pas sigurimit të provave të nevojshme është realizuar bastisja në fshatin Shirokë në një objekt shtatëkatësh, nën kulmin e të cilit është gjetur një laborator i kultivimit të kanabisit.

Nga ky aksion janë gjetur rreth 32 kg narkotikë të llojit marihuanë, dymijë e pesëdhjetë e nëntë bimë të mbjella në saksi, të cilat janë konfiskuar, si dhe narkotikë që kanë qenë të përgatitura dhe të gatshme për shitje.

Në njoftim tutje theksohet se vendi (laboratori) ku janë gjetur narkotikët i ka pasur të gjitha pajisjet e nevojshme për kultivimin e bimës së kanabisit si: ndriçimin e posaçëm, sistemin e ujitjes, sistemin e ajrosjes, peshore, qese, si dhe sasi të konsideruar të dheut të vendosura në thasë.

Në këtë aksion janë sekuestruar: Tre automjete të markave BMW, Ford dhe Opel Zafira; gjashtë celularë; para të gatshme në shumë prej 2,185,29 euro, 313 denarë maqedon; një DVR dhe një laptop.

Po ashtu, lidhur me këtë rast hetimet po vazhdojnë, ndërsa për të arrestuarit nga prokurori i çështjes është lëshuar vendimi për ndalim 48-orësh.