Projektligji për shëndetin riprodhues, Konjufca: Një deputet nga mazhoranca qëllimshëm nuk po voton

Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor nuk është hedhur në votim në seancën e Kuvendit të Kosovës për shkak të mungesës së kuorumit.

Ky projektligj për të disatën herë tashmë, është shtyrë për një seancë tjetër.

Fillimisht Kuvendi nuk pati kuorum për një amendament të propozuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se një deputet qëllimshëm nga mazhoranca nuk po voton për ta pamundësuar fare ligjin që të mos procedohet.

“Nuk kemi kuorum sërish sepse një deputet qëllimshëm nga mazhoranca nuk po voton për ta pamundësuar fare ligjin që të mos procedohet. E provojmë edhe herën e tretë dhe pastaj e lëmë këtu, në këtë…”- ka thënë ai.

Më pas Konjufcës i është kërkuar që ta përmend emrin e deputetit që nuk ka votuar, por ai ka refuzuar duke thënë se votat janë përcaktime të lira dhe deputetet mund të votojnë si të duan.

“Urdhëro? S’kom nevojë me ta përmend emrin bre! Pse çka? S’kom nevoje me ta përmend emrin. Kjo është për me kuptu teknikisht pse s’po ndodhë. Jo, jo deputetët e kanë shpjegu secilin pozicionin e vet, s’kemi nevojë me i gjyku fare. Këto janë përcaktime qysh të lira, qysh të dojnë deputetët. Teknikisht pse s’po mund të votojmë edhe pse jemi në 60 (deputetë) është kjo. Tash e provojmë edhe herën e tretë dhe nëse nuk funksionon e lëmë këtu. Nuk ka asgjë të veçantë, na ka ndodhë plot herë”- është shprehur Konjufca në seancën e sotme.

Ndërkaq, deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani ka konfirmuar për KALLXO.com se ai është deputeti qe s’ka marrë pjesë në votim dhe se për të e kishte fjalën kryeparmnatari Glauk Konjufca.

“Po të sakta janë të dyja”- tha shkurt deputeti për KALLXO.com.

Rrahmani në vazhdimësi është deklaruar kundër këtij projektligji.

Gjatë shqyrtimit në parim, Rrahmani kishte thënë se duhet të rishikohet projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, për shkak se sipas tij, cenon familjen, për vlerat e së cilës thotë se angazhohet.

Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor është miratuar në parim në tetor të vitit 2023.

Në mars të vitit 2023, ky Projektligj ka ngjallur debat mes deputetëve në Kuvend.

Disa deputetë të pushtetit patën dalë kundër e duke nxitur edhe reagime të organizatave joqeveritare.