Seanca e Kuvendit më 4 qershor 2020, FOTO: Kuvendi i Kosovës

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike sot në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme sot.

Pika e vetme e rendit të ditës është – Shqyrtimi i dytë i Projektligiit nr.07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19.

Seanca pritet të fillojë sot në orën 11:00.

Pas gjashtë tentimeve, Kuvendi i Kosovës ka arritur që më 12 tetor ta votojë në parim projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike.

Ky projektligj u votua në lexim të parë me 64 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Vlera e këtij projektligji është 385 milionë euro.

Në nenin 12a parashihet tërheqja e qytetarëve të 10 për qindshit të kursimeve të tyre pensionale në  Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës – Trust.

Mundësia për këtë ndryshim ligjor është bërë për shkak të pasojave ekonomike nga situata me pandeminë COVID-19.

Që nga dje, kur ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë dorëheqje nga pozita e të parit të shtetit pas aktakuzës së konfirmuar nga Zyret e Prokurorit të Specializuar, Vjosa Osmani do të jetë u.d e presidentes së Kosovës.

Seancat e Kuvendit do t’i drejtojë nënkryetarja e parë e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.