Profesori me avancim kontravers që do ta udhëheq Ministrinë e Arsimit
Kuvendi i Kosovës sot ka votuar Qeverinë e re në krye me Avdullah Hotin.
Kjo qeveri është formuar në koalicion me LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe dhe ky koalicion, Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë ia ka besuar Ramë Likaj nga AAK.
Likaj me profesion është profesor i rregullt në Fakultetin e Inxhinerisë Mekanike. Ai ligjëron në nivelin Bachelor dhe Master në degën e Mekatronikës për 26 vite.
Në nivelin Bachelor ai ligjëron: Kërkime operacionale në komunikacion, Organizimi dhe ekonomika e komunikacionit si dhe metodat eksperimentale.
Kurse në nivelin master ligjëron lëndët: Menaxhmenti në komunikacion, Stimulimi i sistemeve mekanike, Dizajni dhe simulimi i sistemit dhe menaxhimi i prodhimtarisë.
Në lidhje me punën e tij si profesor, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim e ka kundërshtuar propozimin e Likajt si ministër të MAShT-it, pasi sipas tyre ai ishte avancuar në mënyrë të dyshimtë.
“Ramë Likaj është i përfshirë në skandalin më të madh të Universitetit të Prishtinës si një nga profesorët e avancuar përmes plagjiaturës dhe mashtrimit akademik i njohur si rasti i Supermenëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike”, thotë ORCA.
“Ramë Likaj është avancuar nga pozita e profesorit të asocuar në atë të profesorit të rregullt në vitin 2018 përmes një procesi mashtrues. Ramë Likaj me rastin e avancimit të tij ka paraqitur 19 punime shkencore brenda 1 viti e gjysëm, sa 19 fishi i kolegëve të tij norvegjezë që arrijnë të publikojnë jo më shumë se 1 punim në vit”, thuhej më tej në reagimin e tyre.
Likaj po ashtu ka qenë këshilltar për arsim i Ramush Haradinajt sa ai ishte kryeministër nga viti 2018 deri në vitin 2019, të cilën e ka cilësuar si punë vullnetare.
Likaj po ashtu ka qenë edhe këshilltar i ish-ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami gjatë vitit 2015-17, të cilën po ashtu sipas CV-së së tij, e ka cilësuar si punë vullnetare.
Ai po ashtu ka qenë kryetar i bordit të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë në vitet 2015/16, kryetar i Këshillit për Arsim dhe Aftësim Profesional në vitin 2015, koordinator i Këshillit për Arsim dhe Aftësim Profesional në vitin 2015, koordinator i Republikës së Kosovës për vlerësimin PISA, Koordinator i Kosovës për Procesin e Torinos, 2015-2016, Koordinator i MASHT për vlerësimin e Planit Strategjik të Arsimit 2011-2016, dhe koordinator i MASHT për Zhvillimin e Planit Strategjik të Arsimit 2017-2021.
Ai po ashtu ka qenë anëtar i Senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, anëtar i rrjetit të Evropës Juglindore për trajnimin e arsimtarëve dhe trajnerëve të arsimit dhe aftësimit profesional, që nga viti 2003, në Torino, Itali, anëtar i grupit punues për hartimin e planit Zhvillimor Qeveritar 2017-2021.
Si dhe anëtar i Këshilli për Arsim dhe Aftësim Profesional për dy mandate gjatë vitit 2006-2008 dhe Anëtar dhe Kryesues i Paneleve të ekspertëve për Validim të Kualifikimeve dhe Akreditim të Institucioneve, Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve.
Kjo ministri deri tani ishte udhëhequr nga Hykmete Bajrami, e cila me profesion ishte ekonomiste.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar sot qeverinë e re të përbërë nga koalicioni LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.
Për qeverinë e re kanë votuar 61 deputetë, 24 ishin kundër dhe 1 abstenoi. Në votim morën pjesë 86 deputetë.
Qeveria Hoti përbëhet nga 4 zëvendëskryeministra dhe 16 ministria. Përbërjen e Qeverisë mund ta gjeni KËTU.