Foto: Ilustrim

Prizren, sulmohet fizikisht këshilltari i Ministrisë së Punëve të Jashtme

Këshilltari i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Çerim Bajrami, është sulmuar fizikisht më 29.02.2023 nga një person i dyshuar në Prizren.

Kështu ka njoftuar Partia Demokratike Boshnjake – Koalicioni Vakat, e cila e ka dënuar sulmin.

Lidhur me rastin është kontaktuar edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka thënë për KALLXO.com se për ngjarjen janë njoftuar rreth orës 16:00.

“Pas një konflikti verbal në mes të dyshuarit dhe viktimës, i dyshuari e ka goditur me boks viktimën dhe me këtë rast i ka shkaktuar lëndime në hundë” – tha Bytyqi.

Ai shtoi se dyshohet se fjalosja ka ndodhur për shkak se i dyshuari me disa të tjerë ka qenë duke luajtur me top ndërsa viktima ka kërkuar nga ata që të ndërpresin lojën e të mos e shqetësojnë.

Bytyqi njoftoi se zyrtarët policorë janë duke vazhduar që të merren me rastin.

Partia Demokratike Boshnjake – Koalicioni Vakat tha se e dënon “këtë akt frikacak të dhunës që ka ndodhur ndaj Bajramit”.

“Ne besojmë se sulmi fizik ndaj çdo individi, pavarësisht nga pozicioni apo bindjet e tij, është krejtësisht i papranueshëm dhe krejtësisht në kundërshtim me vlerat tona themelore njerëzore” – u tha në reagim.