Ekspozita e Adem Sylemanoskit dhe Dritan Bockut. Foto: QRTK

Prizren, hapet ekspozita e krijuesve dibranë 

Organizuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe Qendrës për Kulturë në Dibër të Maqedonisë Veriore, është hapur sot në Prizren ekspozita e dy piktorëve dibranë, Adem Sylemanoski dhe Dritan Bocku.

Ekspozita është hapur në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës në Prizren.

Hapja e kësaj ekspozite, sipas QRTK në Prizren, është bërë në kuadër të programit vjetor të kësaj qendre në veprimtarisë ndërkombëtare.

Me këtë rast u tha se kjo ekspozitë e përbashkët në mes dy institucioneve të vendeve respektive do jetë një hap tutje në përafrimin e kulturës, artit dhe traditës së dy vendeve fqinje.

Samir Hoxha, drejtor i QRTK-së së Prizrenit, gjatë hapjes së kësaj ekspozite ka potencuar se autorët nga Dibra e Maqedonisë së Veriut, piktorit Adem Sylemanoski dhe Dritan Bocku, janë të dëshmuar me artin e tyre edhe në arenën ndërkombëtare, duke hapur ekspozita në shumë qytete të mëdha të Evropës.

“Ekspozita të tilla në këtë kohë të pandemisë do të na ofrojnë një oazë arti për ne ku do të mund të vijmë dhe ta ushqejnë shpirtin në këto ditë jo edhe aq të lehta nëpër të cilat po kalojmë” ka thënë drejtori Hoxha

Ndërkaq, Zinqe Mimidinoski, drejtori i Qendrës për Kulturë në Dibër, është shprehur i kënaqur hapjen e kësaj ekspozite dhe interesimin e publikut për veprat e autorëve dibranë.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 22 tetor 2020.