Foto: KALLXO.com

Prizren, dosja e Prokurorisë shpjegon rrahjen mes disa personave për një zinxhir ari

Dymbëdhjetë të pandehurit të cilët u përfshinë në rrahje, e cila përfundoi edhe me vrasje në tentativë, kanë dalë para trupit gjykues për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë së Prizrenit.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshjeje rreth dyshimeve për vjedhje të një zinxhiri të arit.

Të pandehurit, sipas Prokurorisë, kanë kryer veprat penale – vrasje e rëndë e ngelur në tentativë, armëmbajtje pa leje, lëndim i rëndë trupor dhe pjesëmarrja në rrahje.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Petrit Kryeziu, 10 të dyshuarit: Burim Kapllani, Endrit Krasniqi, Liridon Kapllani, Zenel Gjemollari (1), Karafil Qengaj, Gzuar Kapllani, Zenel Gjemollari (2), Përparim Gjemollari, Qëndrim Kapllani dhe Rrahim Kapllani e pranuan fajësinë për veprat me të cilat ngarkohen.

Shpejtim Kastrati nuk e pranoi fajësinë për veprën penale – vrasje e rëndë në tentativë, por pranoi akuzën për armëmbajtje pa leje. Veprim Gjemollari nuk pranoi fajësinë për pikat e akuzës.

Gjykatësi i çështjes, Artan Sejrani, ka aprovuar pranimin e fajësisë nga të pandehurit dhe ka njoftuar palët që kanë pranuar fajësinë se aktgjykimi do të shpallet pasi të përfundohet shqyrtimi i akuzave për Shpejtim Kastratin dhe Veprim Gjemollarin.

Paraprakisht, Gjykata ka aprovuar kërkesat e mbrojtësve të të pandehurve rreth masës së sigurisë.

Të akuzuarit Veprim Gjemollari masa e paraburgimit i është zëvendësuar me arrest shtëpiak.

Të akuzuarit Burim Kapllani dhe Fanol Krasniqi i është ndërprerë paraburgimi.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Shpejtim Kastrati më 7 maj 2023 rreth orës 01:20 në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, përballë njërës prej qendrave tregtare, me dashje fillon kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, të cilën nuk e përfundon ndaj të dëmtuarve Qëndrim Kapllani, dhe Rahim Kapllani, si dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e personave të tjerë siç janë: Gzuar Kapllani, Liridon Kapllani, Burim Kapllani, Gonxhe Kryeziu dhe Përparim Xhemollari.

Sipas Prokurorisë, pas një mosmarrëveshjeje rreth dyshimeve për vjedhje të një zinxhiri të arit, përfshihet në rrahje një numër i madh personash nga të dyja palët, ku pasi ndërpritet përleshja, i pandehuri Shpejtim Kastrati paraqitet në vendin e ngjarjes dhe menjëherë hidhet në sulm, i cili nxjerr armën e zjarrit të cilën e drejton në drejtim të Gzuar Kapllanit, aty ndërhynë Qëndrim Kapllani, duke ia kapur armën nga dora mirëpo persona tjerë e sulmojnë Qëndrimin dhe pasi ky i fundit rrëzohet në tokë i pandehuri shtie me armë në drejtim të tij, të cilit i shkakton dëmtime të lehta trupore.

Tutje thuhet se pasi i dëmtuari Qëndrim Kapllani largohet me shpejtësi duke u hedhur rreth 2 metra poshtë në oborrin e qendrës tregtare që gjendej aty afër, i pandehuri shkon në pjesën tjetër të turmës ku po konfrontoheshin fizikisht me grushte e shqelma dhe shtie dy herë në drejtim të të dëmtuarit Rahim Kapllani, të cilit i shkakton dëmtime të lehta trupore, përkatësisht dy plagë nga veprimi dinamik i predhës së hedhur nga arma e zjarrit.

Me këto veprime, i pandehuri Shpejtim Kastrati dyshohet se ka kryer veprat penale vrasje e rëndë e ngelur në tentativë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

I pandehuri Burim Kapllani, me qëllim që t’ i shkaktojë lëndime trupore personave tjerë, i sulmon të dëmtuarit Veprim Xhemollari dhe Zenel Xhemollari (1) , me ç’rast i shkakton lëndime të rënda trupore, të shkaktuara nga veprimi mekanik i mjetit të fortë.

Me këto veprime, i njëjti sipas Prokurorisë kryen veprën penale – lëndimi i rëndë trupor.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Veprim Xhemollari, me qëllim që t’ i shkaktojë lëndime trupore personit tjetër, e sulmon të dëmtuarin/pandehurin Liridon Kapllani, ku paraqitet në vend të ngjarjes më një thikë me gjatësi tehu 9cm, e godet disa herë të pandehurin, me ç’rast i shkakton lëndime të rënda trupore.

Me këto veprime ka kryer veprat penale – lëndimi i rëndë trupor dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas akuzës, të pandehurit Endrit Kastrati, Liridon Kapllani, Zenel Xhemollari (2), Karafil Qengaj dhe Gzuar Kastrati me qëllim që t’i shkaktojnë lëndime trupore personave të tjerë, marrin pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndim të rëndë trupor, të cilët përdorin mjete të rrezikshme si: brisk, shufra metalike dhe boks hekuri.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, secili veç e veç ka kryer veprën penale – pjesëmarrja në rrahje.

Të pandehurit Zenel Xhemollari (1), Përparim Xhemollari, Qëndrim Kapllani dhe Rahim Kapllani me qëllim që t’i shkaktojnë lëndime trupore personave të tjerë, marrin pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndim të rëndë trupor.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, secili veç e veç ka kryer veprën penale – pjesëmarrja në rrahje.