Prishtinë, hapet një qendër e re që mundëson dialogun ndërkomunitar

Sot në Prishtinë është hapur një qendër e re multietnike, e udhëhequr nga qytetarë nga të gjitha komunitetet e Kosovës.

Qendra Barabar është një hapësirë multietnike dialogu për shoqërinë civile dhe komunitetet për të mbledhur dhe organizuar ngjarje dhe diskutime që mundësojnë dialogun ndërkomunitar për çështjet me interes të ndërsjellë në një mjedis të qasshëm, të sigurt dhe konstruktiv.

Ajo është krijuar dhe drejtuar nga OJQ Integra nga Prishtina dhe OJQ CASA nga Mitrovica e Veriut, me mbështetjen e UNMIK-ut.

Në këtë ngjarje të quajtur “Ndërtimi i mirëbesimit në Kosovë: Mbështetja e bashkimit për një të ardhme më të mirë”, ishin më shumë se 250 të ftuar, ndërsa më shumë se 60 organizata joqeveritare dhe individë u vlerësuan për kontributin e tyre në ndërtimin e mirëbesimit në kërkim të një të ardhmeje më të mirë.

Një ndër këto organizata ishte edhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN, i cili bashkëpunon në projekte të ndryshme me UNMIK-un që nga viti 2019.

Aty morën pjesë kampionët e ndërtimit të besimit të Kosovës, ekspertë ndërkombëtarë të paqes dhe ndërtimit të besimit dhe zyrtarë të lartë të OKB-së, duke përfshirë Nënsekretarin e Përgjithshëm për Operacionet e Paqes Jean-Pierre Lacroix dhe Përfaqësuesen Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefe e UNMIK-ut Caroline Ziadeh.

Kjo ngjarje vjen pesë vjet pasi Forumi i OKB-së për ndërtimin e mirëbesimit në Kosovë u mbajt në Lubjanë, Slloveni, në maj të 2018-tës.

I pranishëm ishte edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, i cili tha se diversiteti i përvojave i ka shtuar vlerë qytetit.

“Unë qëndroj i përkushtuar të siguroj se [Prishtina] do të ofrojë një mjedis të sigurt dhe empatik për të gjitha komunitetet [dhe do të] japë një zë të fuqishëm për të avancuar ofrimin e shërbimeve për të gjitha komunitetet, pavarësisht prejardhjes” – tha ai.

Gjatë këtyre viteve, disa prej projekteve të BIRN-it, të përkrahura nga UNMIK kanë qenë: “Dialogu i shoqërisë kosovare: seri debatesh në komunë”, “Debatet e mendësive të reja që lidhin komunitetet”, “Zgjidhjet e komunave të Kosovës”, “Ndërtimi i urave të mirëkuptimit dhe pajtimit të ndërsjellë”, “Adresimi i dezinformatave përmes gazetarisë së kontrollimit të fakteve”.

Një prej impakteve të këtyre ishte edhe bashkimi i prijësve të feve të ndryshme për herë të parë në një debat televiziv, për të diskutuar tolerancën fetare dhe ndërtimin e besimit në publik.

Në këtë link mund t’i gjeni disa prej debateve të lartpërmendura.