Sheshi Adem Jashari | Foto: Komuna e Prishinës

Sheshi Adem Jashari Pa Përmendore të Tij

Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës Gëzim Mehmeti tha se nuk do të ketë përmendore të Adem Jasharit me sheshin me këtë emër.

Projekti i rregullimit të sheshit që ndodhet mes ndërtesës së Kuvendit dhe asaj të komunës, sipas drejtorit Mehmeti do të kushtojë 311 mijë euro.

Mehmeti në debatin rregullimin e këtij sheshi tha se nuk do të largohet monumenti i periudhës komuniste që ndodhet në këtë shesh.

“Ne nuk e prekim shtatoren e lirisë. Unë mendoj që të ketë një shesh tjetër dhe të ketë një përmendore të Adem Jasharit”, tha Mehmeti.

Por asamblisti i PDK-së Migjen Shala tha se ose duhet të hiqet monumenti i vëllazërim-bashkimit, ose të hiqet emri Adem Jashari nga sheshi.

“Ky shesh është i vogël me u quajt Adem Jashari. Adem Jashari ëshrë emblema e UÇK-së. Unë nuk e di qysh mundet me u quajt ky shesh Adem Jashari ku aty kemi një përmendore të bashkim-vllaznimi. Une kam dy propozime ose të hiqet emri i sheshit Adem Jashari ose të hiqet ai monument aty”, tha Shala, me nismën e të cilit u vendos që si pikë e rendit të ditës të diskutohet për sheshin.

Shala u çudit edhe me asamblistët e partisë së tij që e votuan emrin e Adem Jasharit për sheshin ku ndodhet monumenti.

“Unë nuk e di qysh ka mbetë deri sot ai monument dhe nuk e di qysh kolegët e mi të PDK kanë votuar në 2005-ën për emrin Adem Jashari afër këtij monumenti”, tha Shala.

Egzon Azemi, asamblisti i VV-së tha se mes Kuvendit e komunës duhet të jetë përmendorja e Adem Jasharit.

“Unë mendoj që sa më shpejt të bëhet një përmendore për Adem Jasharin. Besoj që është e udhës që shtatorja e Adem Jasharit të bëhet në këtë shesh dhe të bëhet mes Kuvendit të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës”, tha Azemi.

Por Yll Rugova, drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës tha se “monumenti e ka emrin Monumenti i lirisë, ndërsa sheshi e ka pasë emrin bashkim-vllaznimi. Unë pajtohem që të bëjmë një lokacion të ri dhe të kemi një përmendore të Adem Jasharit”.

Edhe Adrian Berisha nga Grupi i Pavarur deklaroi se është kundër rrënimit të përmendores, por tha se mund të gjendet një vend ku Adem Jashari do ta ketë shtatoren.