Prishtinë, dolën rezultatet për 27 mjekët e testuar për COVID-19

Sot gjatë ditës janë testuar 27 mjekë nga Prishtina, si raste kontakti me mjekët që ditë më parë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës Bujar Gashi tha për KALLXO.com se që të gjithë 27 mjekët të testuar sot kanë rezultuar negativ.

“Lajm i gëzueshëm edhe për ne që të gjithë mjekët rezultuan negativ, ashtu që sektorin e shëndetësisë ta kemi në shërbim të plotë” tha Drejtori Gashi.

Bujar Gashi tha se aktualisht në Prishtinë janë 422 raste aktive me COVID-19, ndërsa 87 pacientët e shëruar sot 10 nga ta janë nga Prishtina.

Kosova është në ditën e 106 që kur është shfaqur rasti i parë me COVID-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik sot ka njoftuar se janë testuar 207 mostra për COVID-19, nga të cilat testime 96 persona kanë rezultuar pozitiv.

Gjithashtu sot janë shëruar edhe 87 pacientë, duke e ngritur numrin e të shëruarve në 1,389 pacientë.

Kosova ka aktualisht 1,239 raste aktive me COVID-19, ndërsa Prishtina është komuna me numrin më ët lartë të rasteve aktive, duke vazhduar me Komunat e Vushtrrisë dhe Prizrenit që kanë numër të lartë të rasteve të konfirmuar por edhe të rasteve aktive me COVID-19.

Deri më sot në Kosovë janë konfirmuar në total 2,590 raste, nga 23.137 persona të testuar si të dyshuar për Coronavirus.

Ndërsa ditëve të fundit në vazhdimësi janë shënuar viktima me COVID-19 në Kosovë, derisa totali ka arritur në 44 viktima.