Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Prioritetet e qeverisjes lokale të kandidateve gra për asambliste në Kaçanik
Kandidatet gra për asambliste në Kuvendin Komunal të Kaçanikut, në Debat Pernime kanë shpalosur prioritetet dhe politikat e tyre në rast se marrin mandat nga zgjedhjet e 17 tetorit.
Kandidatja nga radhët e Vetëvendosjes, Resmije Loki tha se komuna e saj ka shumë sfida.
“Qyteti im përballet me sfida të mëdha të zhvillimeve të gjithmbarshme, prandaj ka nevojë të madhe për gjenerata të reja të cilat do të jenë të gatshme të udhëheqin politikat e vendit. Qëllimi im është që të mbështesë fuqizimin e grave dhe të mbështesë e të shtyjë përpara ndarjen e fondeve, subvencioneve e bursave për studentë”, tha ajo.
Kandidatja tjetër për asambliste nga LVV-ja Arta Sopa theksoi se pasi me profesion është mësimdhënëse tash e 15 vite, ka vërejtur zvogëlim të numrit të nxënësve nëpër shkolla.
Ajo shtoi se e ka kuptuar se të rinjtë nuk shohin perspektivë në Kaçanik, duke theksuar se kjo ka bërë që ajo të mos rrijë indiferente dhe të kyçet në vendimmarrje duke garuar si asambliste.
“Do të mundohem që të jem në shërbim të halleve të qytetarëve për përcjelljen e brengave dhe shqetësimeve e ideve të banorëve. Do të shtyjë përpara tema si të drejtat e fëmijëve, grave dhe diasporës”, tha ajo.
Kurse, kandidatja tjetër për asambliste, Valentina Murseli nga AAK-ja theksoi se objektivat kryesore të saj janë për rolin e gruas në shoqëri dhe avancimin në të gjitha organet vendimmarrëse dhe të barabarta me burrat.
“Dua që shoqëria jonë të luftojë për barazi të plotë në të gjitha fushat, si në punësim, arsim dhe shëndetësi. Dua që së bashku me të gjithë të rinjtë të ngrisim zërin për kërkesat dhe nevojat tona, me bursa për studentët e komunës sonë, pse më shumë se 40 bursa, ndërtimin apo përmirësimin e bibliotekës, përkrahjen e të rinjve që merren me sport”, tha ajo.
Bashkëpartiakja e saj, po ashtu kandidate për asambliste, Rabije Sallahi nga AAK tha se e ka prioritet gjithashtu fuqizimin e grave.
“Komuna jonë është udhëhequr vetëm me një grua drejtoreshë deri më tani”, duke shtuar se prioritet kryesor do ta ketë fushën e arsimit.
Sipas kandidates, nepotizmi në komunë është shumë i theksuar duke shtuar se do të mundohet të shtyjë përpara depolitizimin në arsim.
Në anën tjetër, kandidatja Lirije Luta nga PDK tha se më së shumti do të fokusohet në arsim, në kulturë, rini dhe sport.
Ajo shtoi se po ashtu do të ketë synim edhe krijimin e hapësirave më të nevojshme për personat me nevoja të vecanta.
“Po ashtu duhet hapësirë e përshtatshme, sallë e sporteve për klubet sportive, trajtimin e mbeturinave, bashkëpunim me asamblistët në Kuvend Komunal për t’i ruajtur interesat e qytetarëve”, u shpreh ajo.
Ndërkaq, Florina Lika-Vishi kandidate po ashtu nga PDK-ja theksoi se zotohet se do të jetë zëri i kërkesave të qytetarëve.
“Vëmendja duhet të zhvendoset drejt politikave dhe programeve që nxisin dhe mbështesin krijimin e vendeve të punës dhe ndërmarrësinë veçanërisht nga gratë”, tha mes tjerash ajo.
Kandidatja për asambliste, Ardita Rrahmani nga LDK-ja tha se beson që do të bëhet pjesë e Kuvendit Komunal pasi është bartëse e listës zgjedhore të partisë së saj. Ajo shtoi se politikat që do t’i ndjek është kryesisht në lidhje me rininë, kulturën dhe arsimin.
“Kultura sepse nuk e kemi as edhe një datë që mund ta shënojmë dhe nuk ka asnjë aktivitet kulturor nga komuna. Për arsim, duhet të bëhet depolitizimi nga pozitat udhëheqëse që janë në komunë”, tha ajo.