Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prioritetet e kandidateve gra për asambliste në Malishevë 

Kandidatet për asambliste në Komunën e Malishevës kanë treguar prioritetet e tyre në rast se marrin mandat.

Kandidatja Marigona Ramaj nga AAK-ja ka thënë se ndër prioritet kryesore të saj do të jenë barazia dhe meritokracia në rekrutim dhe të gjitha proceset tjera.

“Do të jem zë i fuqishëm i gruas dhe mbështetjes së tyre në të gjitha fushat. Do të jem zë i të rinjve, i studentëve. Do të bëhet digjitalizimi i mësimdhënies në projektorë. Do të bëjmë çerdhe të reja në Malishevë, Banjë dhe Drenoc”, tha ajo.

Kurse, Sadije Krasniqi nga LVV-ja theksoi se nëse i jepet besimi tash në mandatin e dytë, do të jetë zë i të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Tashmë e di saktë secilën kërkesë dhe nevojë të qytetarëve. Veçanërisht do të fokusohem te gratë dhe te të rinjtë, si edhe në arsim. Të ndërtohen çerdhet ku është e nevojshme, nuk do të shkojmë në logjikën që të dërgohet investimi vetëm pse dikush ka pushtet, duhet zgjidhur problemet e komunitetit. Do të angazhohemi për kënde të leximit”, tha ajo mes tjerash.

Ndërkaq, kandidatja për asambliste nga radhët e LDK-së, Trëndelinë Begaj tha se do të angazhohet në çdo kohë me tërë potencialin e saj profesional që të ndihmojmë bizneset e vogla dhe të mesme, sidomos ato që drejtohen nga gratë.

“Do të angazhohem për çdo të ri dhe të re që t’i adresojë kërkesat e tyre aty ku atyre iu bëhet zgjidhja sepse komuna e Malishevës ka potencial rinor, ka talentë, artistë e krijues. Pasi me profesion jam psikologe, një rëndësi të veçantë do t’ia kushtoj fëmijëve me nevoja të veçanta ”, tha ajo.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Malishevës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetarë të komunës së Malishevës, Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje, Bajrush Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Isni Kilaj nga Partia Demokratike e Kosovës, Kastriot Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Selajdin Bytyçi, kandidat i pavarur.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Malishevës: Marigona Ramaj AAK, Sadije Krasniqi LVV, Trëndelinë Begaj LDK.