Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prioritetet në qeverisje të kandidateve gra për Kuvendin Komunal të Prishtinës

Kandidatet gra për këshilltare në Kuvendin Komunal Komunal të Prishtinës, në Debat Pernime kanë paraqitur prioritetet e tyre në rast se sigurojnë mandate nga zgjedhjet e 17 tetorit.

Kandidatja nga radhët e LVV-së, Diana Mejzinolli ka thënë se do të angazhohet që të përmirësohet cilësia e jetës në kryeqytet në përgjithësi.

“Për këtë do të fokusohem në tri prioritet, implementimin e programit të lëvizjes për shëndetësi duke u fokusuar në shëndetësinë preventive, ndër të tjerash zhvillimi i programit për ndërgjegjësim dhe edukim për shëndetin individual dhe atë publike, duke u fokusuar në shëndetin e vajzave dhe grave. Çështje e dytë që do ta adresoj është ndotja akustike. Prioritet i tretë është mbrojtja e hapësirave të gjelbra dhe krijimi i të rejave”, theksoi ajo.

Kurse, Donjeta Dragusha nga LDK-ja tha se nëse bëhet asambliste do të jetë adresë për të gjitha kërkesat e qytetarëve, duke shtuar se gjithashtu i ka edhe tri prioritet konkrete.

“Prioritetet e mia janë: mbështetja e bizneseve të vogla dhe atyre të sapo krijuara veçanërisht nga gratë dhe të rinjtë, e dyta është angazhimi në mbështetjen e kompanive të IT-së dhe do të angazhohem në fuqizimin e fshatrave, duke krijuar ndërlidhje me pjesën urbane dhe transportin publik”, u shpreh ajo.

Në anën tjetër, kandidatja për asambliste Dhurata Salihi nga AAK-ja theksoi se prioritetet e saj lidhen me lagjen “Qëndresa”.

“Jo pse jetoj aty, por kjo lagje për tetë vite ka qenë e shkelur. Nuk kemi pasur investime në shkolla, nuk kemi çerdhe, nuk kemi transport publik, nuk kemi QMF”, tha ajo, duke shtuar mes tjerash se prioritet të dytë do ta ketë ndërtimin e Spitalit të Prishtinës.

Ndërkaq, kandidatja për Asamblenë e Prishtinës nga PDK-ja, Eliza Hoxha tha se qëndron për Prishtinën me programin e partisë së saj “për një kryeqytet të gjelbër, digjitale, destinacion dhe një qytet të jetueshëm, të qëndrueshëm, miqësor dhe me më shumë dashuri për të gjithë neve”.

Kurse kandidatja Figen Shabani nga partia turke KDTP-ja theksoi se përfaqësimi i komuniteteve në Komunën e Prishtinës mungon.

“Kjo për shkak se ende ndodhin gabime në dokumentacione që marrim prej komunës edhe pse e kemi të drejtën me marr në gjuhën turke, por ende ka probleme me shkronjat në gjuhën turke, pra më duket si problem që duhet me zgjidh. Çështja e dytë është problem me qentë endacakë. Prishtina ka nevojë për strehimore moderne për t’i ushqyer kafshët”, tha ajo.

E Marigonë Tahiri nga Lëvizja për Bashkim, theksoi se ka shumë prioritete nëse bëhet asambliste, mirëpo së pari do ta rendiste shëndetësinë.

“Do të përpiqem që të gjitha shërbimet të rriten në nivel sa më të lartë, dhe të avancojë një standard tjetër në nivelin e kulturës shëndetësore. Shërbimet të jenë të barabarta për të gjithë pa dallim”, tha ajo duke shtuar se do të përkrahin me investime edhe fshatrat e Gollakut.

Ndërkaq, Fiknete Bejta nga AKR-ja tha se nëse bëhet asambliste ka synim zhvillimin e arsimit.

Ajo shtoi se synim tjetër e ka edhe zhvillimin social.

“Kjo sepse Prishtina përveç nevojave të tjera në infrastrukturë ka probleme të mëdha sociale”, tha ajo.

Sonte, për herë të parë, kandidatët për kryetar të Prishtinës debatojnë mes vete në #DebatPernime.

Kandidatët për kryetar të Prishtinës të cilët do të shpalosin programet dhe planet e tyre për kryeqytetin për katër vitet e ardhshme.

Se si do të duket Prishtina në vitin 2025 do të tregojnë: Arben Vitia nga LVV; Avni Çakmaku nga Fjala; Daut Haradinaj nga AAK; Florim Isufi Partia Balliste; Gëzim Mehmeti nga AKR; Përparim Rama nga LDK dhe Uran Ismail nga PDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës së Prishtinës janë edhe kandidatet për asambliste: Diona Mejzinolli nga LVV; Donjeta Dragusha nga LDK; Dhurata Salihi nga AAK; Eliza Hoxha nga PDK; Figen Shabani nga KDTP; Fiknete Bejta nga AKR dhe Marigonë Tahiri nga Lëvizja për Bashkim.