Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

‘Më Mirë për Tetovën’: Do jemi avokati i tetovarëve brenda Këshillit Komunal

Iniciativa e pavarur “Më Mirë për Tetovën” në Debat Pernime, të përfaqësuara nga kandidatet gra për Këshillin Komunal të Tetotvës, Elmedina Abdullahi dhe Merita Saiti premtuan transparencë dhe llogaridhënie, ambient të pastër, hapësira të gjelbra dhe urbanizëm të qëndrueshëm.

Abdullahi nga kjo iniciativë e pavarur që garon për këshillin komunal të Tetovës tha se platforma e tyre është shumë më reale dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë te populli, theksoi se mungesa e transparencës deri sot ka qenë një ndër shkaqet e keqpërdorimeve të shumta.

“Platforma jonë është shumë më reale dhe do të ketë ndikim direkt, me gjëra praktike për shkak se ne vijmë prej aktivizmit dhe nuk vijmë nga politika. E para gjë që do të shtyjmë është transparenca dhe llogaridhënia sepse jemi të sigurt që në mungesë të transparencës dhe llogaridhënies janë duke u bë të gjitha keqpërdorimet momentalisht në komunën e Tetovës me qeverisjen aktuale, prandaj, do të insistojmë me çdo kusht që çdo mbledhje e këshillit të transmetohet drejtpërdrejt, që qytetarët të informohen se çka vendoset dhe si vendoset”, tha ajo.

Elmedina Abdullahi, kandidate nga “Më Mirë për Tetovën” për Këshillin Komunal të Tetovës Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Ne do të mundohemi të jemi avokatet e popullit, të gjitha kërkesat e popullit do ti përcjellim në Këshill”, tha Elmedina Abdullahi nga MMPT.

Në anën tjetër, Merita Saiti nga e njëjta iniciativë tha se ambientin e pastër dhe hapësirat e gjelbra  për Tetovën do t’i realizojnë përmes bashkëpunimit me iniciativat ndërkombëtare që punojnë në këtë fushë.

“Ne do të mundohemi që në shtyllën tonë të ambientit të pastër dhe hapësirave të gjelbra të mundësojmë pastrimin e rregullt të rrugëve të qytetit dhe gjithashtu do të iniciojmë që të mos keqpërdoren fondet e ndara për këto”, tha Merita Saiti.

Merita Saiti, kandidate nga “Më Mirë për Tetovën” për Këshillin Komunal të Tetovës Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidatët e partive politike të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Komunës së Tetovës po diskutojnë në Debat Pernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të pranishëm në debat për kryetar të Komunës së Tetovës janë Bilall Kasami nga Lëvizja BESA, Sadi Bexheti nga Partia Demokratike Shqiptare dhe Vullnet Murseli nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Poashtu të ftuara në debat janë edhe kandidatet për asamblistë në Këshillin Komunal të Tetovës: Elma Sherifi, Sevim Veseli Berzati dhe Yllzana Berzati nga BESA. Elmedina Abdullahi dhe Merita Saiti nga “Më Mirë për Tetovën”, Mona Sadiki dhe Rudina Aliu nga PDSH si dhe Nesrin Sulejmani Iseni, Nurije Berisha dhe Selda Aliji nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Kandidatët përballë gazetares Jeta Xharra do të diskutojnë për tema të ndryshme në interes të qytetarëve të Tetovës, duke filluar nga shëndetësia, arsimi, ujësjellësi, infrastruktura e mbrojtja e ambientit.