Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Cilat janë prioritetet për qeverisjen lokale, tregojnë kandidatet për asambliste të Fushë Kosovës

Kandidatet për asambliste të komunës së Fushë Kosovës, në #DebatPernime kanë treguar se cilat çështje do t’i kenë prioritet në rast se marrin mandat në zgjedhjet e 17 tetorit.

Kandidatja e PDK-së, Aida Alimi tha se do të jetë zë i arsyeshëm në Kuvendin e Fushë Kosovës.

“Kam disa çështje për t’i iniciuar: Propozim për ndryshimin e rregullores e cila i përket Drejtorisë së Shëndetësisë, një gjë që na përket neve grave është se statusi i pediatrit dhe gjinekologut në Fushë Kosovë është i përkohshëm, këta duhet të jenë të përjetshëm.  Do të avakojë edhe blerjen e mamografisë”, tha ajo.

Kurse, Vildane Latifi kandidate nga AAK-ja theksoi se synimi i saj kryesor do të jetë arsimi.

“Do të mundohem që ta jap maksimumin për ta depolitizuar arsimin. Çdo punësim do të bëhet në mënyrë të rregullt, me konkurs jo në mënyrë familjare. Nuk do të lejojmë punësime pa kualifikim. Do të bëjmë edhe digjitalizimin e të gjitha shkollave në komunën tonë”, tha ndër të tjerash ajo.

Ndërkaq, Vjollca Breznica nga radhët e LVV-së ka thënë se do të adresojë padrejtësitë dhe parregullësitë që do ta adresohen nga qytetarët.

“Angazhimi im më i madh do të jetë në fushën e arsimit, për të krijuar kushte më të mira për mësimdhënie dhe mësimnxënie, si dhe transaprencë në rekrutim”, tha ajo.

Në anën tjetër, kandidatja e LDK-së, për asambliste në Fushë Kosovë, Vjollca Konjusha është shprehur se një nga prioritetet e saj do të jetë realizimi i programit të kryetarit nga katër viteve të ardhshme.

“Do të angazhohem që të ngris çështjet legjislative të qytetarëve dhe politikat e bizneseve që janë shumë të domosdoshme për ne; rritjen e numrit të mësimdhënësit në shkolla, fuqizimin e gruas përmes fushatave të ndryshme, apo granteve komunale. Prioritet do të jenë edhe nënat dhe gratë vet-ushqyese”, tha ajo.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Fushë Kosovës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Fushë Kosovës: Burim Berisha nga LDK; Enver Bajçinca nga LVV; Hasan Ismajli nga AAK dhe Rrahim Tërnava nga PDK. 

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës: Aida Alimi nga PDK; Vildane Latifi nga AAK; Vjollca Breznica nga LVV dhe Vjollca Konjusha nga LDK. 

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.