Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prioritetet që do t'i shtyjnë përpara kandidatet për Asamblenë e Vitisë

Kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Vitisë, në #DebatPernime kanë prezantuar prioritetet e tyre, nëse arrijnë të marrin mandat nga zgjedhjet e 17 tetorit.

Kandidatja për asambliste nga LDK-ja, Majlinda Ostrogllava ka thënë se do të vazhdojë politikat qeverisëse, që i ka pasur si drejtoreshë e Kadastrit deri më tani.

“Prioriteti numër një për mua do të jetë pjesëmarrja e grave në vendimmarje dhe punësimi i tyre, i dyti do të jetë përkrahja e shoqatave të grave. Prioriteti i tretë do të jetë përmirësimi i dikastereve, i shërbimeve që lidhen direkt me qytetarët. Do të vazhdojë të jem zëri i qytetarëve pa dallime partiake dhe shoqërore”, tha ajo.

Ndërkaq, Majlinda Shabani nga LVV-ja u shpreh se kanë shumë politika që duhet të shtyhen përpara.

“Unë si asambliste e ardhshme, synim primar duhet me i pas shërbimet publike, duke pas parasysh ujin e pijshëm, kanalizimet dhe mbeturinat ku fatkeqësisht kemi akoma probleme”, tha ajo duke shtuar se do të mbështesë edhe gratë në vendimmarrje, rininë dhe kontribute në fushën e bujqësisë.

Në anën tjetër, Zyrafete Rama kandidate për asambliste nga PDK-ja ka thënë se zotohet se do të jetë zëri i qytetarëve pa dallim.

“Do të jem zëri i fuqizimit të grave dhe rinisë në shoqërisë. Do të jem urë lidhëse mes qytetarëve, Kuvendit Komunal dhe qeverisjes lokale. Do të ngris kërkesat e qytetarëve dhe iniciativat konkrete. Asnjëherë nuk do të jem makinë votuese e votimeve në dëm të qytetarëve”, theksoi ajo ndër të tjerash.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Vitisë diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Vitisë: Arsim Ademi nga LVV; Bekim Azizi nga PDK dhe Sokol Haliti nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Vitisë: Majlinda Ostrogllava nga LDK; Majlinda Shabani nga LVV dhe Zyrafete Rama nga PDK.