Policia e Kosoves

Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Prindi i një nxënësi dyshohet se kanosi stafin e një shkolle në Istog për shkak të notimit

Policia e Kosovës ka njoftuar se në shkollën e mesme “Bajram Curri” në Istog është kanosur stafi i shkollës.

Kjo kanosje, sipas Policisë ka ndodhur për shkak se një prind ka shprehur pakënaqësinë për rezultatin në mësime të djalit të tij.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur më 12 korrik, rreth orës 09:30.

KALLXO.com ka kontaktuar me zëvendësdrejtoreshën e shkollës, Fatime Dreshaj, e cila ka thënë se nuk ishte në vendngjarje, mirëpo ka kuptuar prej kolegëve se çka ka ndodhur.

“Në momentin kur unë jam kanë tu hy në shkollë, drejtori me disa arsimtarë janë kanë tu dalë me policë, në vend të ngjarjes nuk kam qenë. Ngjarja qysh u kanë, qysh ma rrëfyen ata (kolegët) … i ka kërcënu ‘shihemi na n’asfalt’ me një fjalë” – është deklaruar Dreshaj.

Pas kësaj, Dreshaj thotë se drejtori është detyruar ta njoftojë Policinë.

Sipas Dreshaj, prindi nuk kishte ushtruar dhunë fizike ndaj stafit të shkollës, mirëpo i kishte kërcënuar.

Bëhet fjalë për tre mësues që e kanë vlerësuar nxënësin me notë të dobët, nga lënda e Matematikës, Kimisë dhe Edukatës Fizike.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe drejtorin e shkollës, Hasan Blakaj, por nuk ka pasur qasje përmes telefonit. I njëjti deri në publikimin e artikullit, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e adresuara ndaj tij.

Sipas Policisë, i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është liruar.

Si përfundim, rasti është trajtuar si kanosje dhe vazhdon në procedurë të rregullt.