Price: Të dëshpëruar dhe shqetësuar që Qeveria e Kosovës refuzoi kërkesat dhe këshillat e partnerëve ndërkombëtarë për targat

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price, ka thënë se vendi i tij është i dëshpëruar dhe i shqetësuar që Qeveria e Kosovës nuk e ka shtyrë implementimin e vendimit për targat serbe të automjeteve.

Në një konferencë për media, Price ka thënë se Kosova ka të drejtë për një vendim por që është dashur ta shtyjë afatin.

“Ne kemi dalë me një komunikatë javën e kaluar për të bërë të qartë besimin tonë dhe besimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë se Qeveria e Kosovës duhet të shtyjë periudhën e implementimit. Kosova natyrisht se ka të drejtë të implementojë këtë vendim sipas marrëveshjes së Brukselit, por jemi të dëshpëruar dhe shqetësuar se Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat dhe këshillat e partnerëve të saj më të ngushtë ndërkombëtarë në lidhje me implementimin” – ka thënë ai.

Price nuk tregoi për hapat e mëtutjeshëm pas refuzimit të Qeverisë kosovare karshi kërkesës së SHBA-së dhe vendeve të BE-së.

“Ne inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë të vazhdojnë të angazhohen në dialogun e ndihmuar nga BE-ja. Ne do të mbesim në kontakt të ngushtë me partnerët tanë në rajon, ne do të mbesim në kontakt të ngushtë me BE-në që po e lehtëson dialogun, por nuk kam diçka tjetër për të thënë për këtë çështje” –  ka shtuar ai.

Price ka theksuar se SHBA ka kërkuar nga Qeveria shtyrje të plotë të vendimit.

“Ne kemi qenë të qartë, publikisht dhe privatisht, se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë SHBA-në kërkon një shtyrje të plotë në zbatimin e këtyre çështjeve. Ne nuk kërkojmë një shtyrje të pjesshme, nuk kërkojmë zbatim në faza. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës për një shtyrje të plotë në zbatimim. Këto diskutime po vazhdojnë, diskutimet me palët në rajon, diskutimet me Bashkimin Evropian” – ka theksuar ai.

Afati për regjistrimin e veturave nga ato ilegale në ato të Kosovës është hapur nga data 1 tetor deri më 31 tetor.

SHBA dhe BE kërkuan nga Kosova shtyrje të afatit për 10 muaj.

Të premten Qeveria e Kosovës mori vendim që ta shkallëzojë procesin e konvertimit të tabelave.

Vendimi nis së zbatuari nga nesër më 1 nëntor dhe përfshin tri faza. E para është qortimi i shoferëve që vozisin makina me targa të tilla; faza e dytë është gjobë prej 150 eurosh për ata shoferë dhe e treta janë targat provuese.

Zbatimi i këtij plani do të përfundojë më 21 prill, prej kur në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.