Presidentja Osmani u takua me kryetarin e Parlamentit dhe ministrin e Jashtëm të Maltës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryetarin e Parlamentit të Maltës, Anġlu Farrugia si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Evarist Bartolo.

Osmani përmes një postimi në Facebook ka thënë se në këto takime është diskutuar se si të rritet përkrahje e Maltës për Kosovën si dhe bashkëpunimi bilateral ndërmjet të dyja vendeve.

“Deri tani Malta i ka dhënë përkrahje të fuqishme rrugës evropiane të Kosovës dhe anëtarësimit të vendit tonë në organizata ndërkombëtare”, është shprehur Presidentja.

Vizita e punës e Osmanit në Maltë është bërë me ftesë të presidentit të këtij vendi, George Vella.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës për këtë vizitë.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur një vizitë pune në Maltë, me ftesë të presidentit të Maltës, George Vella, nën patronatin e të cilit do të mbahet Forumi për Paqe dhe Kulturë”, thuhej në komunikatë të zyrës së presidentes.

Në Forumin për Kulturë dhe Paqe, sipas kësaj komunikate, Osmani do të jetë paneliste krahas presidentëve të tjerë, në tryezën ku do të diskutohet për rolin e liderëve botërorë në paqe.