Vjosa Osmani

Vjosa Osmani - Foto Jetmir Hoxha/Kallxo.com

Presidentja Osmani: Pranvera studentore e 81-shit, nisma e kauzës sonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se pranvera studentore e 81-shit, është nisma e kauzës së Kosovës, paralajmërim i hershëm i lirisë dhe moment kthese në rrjedhën e historisë së vendit.

Ajo përmes një komunikate për media është shprehur se demonstratat e vitit 1981, janë dëshmi e kohës nga përpjekja jonë e hershme dhe këmbëngulëse për lirinë dhe Republikën e Kosovës.

“Demonstratat e nisura më 11 mars 1981 u pasuan edhe nga shumë protesta të tjera, por me synimin e njëjtë. Kosova u bë Republikë, ngase studentët e asaj kohe dëshmuan se janë forcë lëvizëse e proceseve dhe se e drejta për liri dhe shtet është e patjetërsueshme. Sakrifica dhe guximi i tyre 42-vite më parë, e trasuan rrugën për liri dhe për shtet” – tha Osmani.

Ajo tutje tha se në këtë përvjetor kujtojnë studentët e rënë dhe të gjithë të tjerët që u bënë bartës dhe realizues të idealeve kombëtare.