Vjosa Osmani

Vjosa Osmani - Foto Jetmir Hoxha/Kallxo.com

Presidentja Osmani nesër në vizitë zyrtare në Maqedoni të Veriut

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të homologut Stevo Pendarovski do të fillojë nesër vizitën zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Sipas njoftimit, në kuadër të kësaj vizite, Osmani pas takimit me presidentin Pendarovski dhe konferencës së përbashkët për medie, do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin, e pastaj pritet t’u drejtohet me një fjalim deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Më pas, presidentja Osmani do të takohet edhe me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ndërsa gjatë ditës ajo do të ketë takime të ndara edhe me grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvend si dhe një drekë pune të përbashkët me gra lidere të fushave të ndryshme.

“Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e Presidentit Historik, dr. Ibrahim Rugova në komunën e Çairit. Ndërkaq në selinë e Ambasadës së Kosovës, Presidentja Osmani do ta dekorojë post-mortem me Urdhrin “Hasan Prishtina”, liderin ikonik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut,  Arbën Xhaferi, i cili shquhet edhe për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve kudo”- thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ajo pritet ta dhurojë një kontingjent librash për bibliotekën në gjuhën shqipe në Manastir.

Sipas agjendës, Osmani do të vendosë lule te shtatorja e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, te busti i Hasan Prishtinës dhe pllaka me emrin e Shën Terezës.

Presidentja gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut do ta vizitojë edhe Tetovën, ku do ta takojë kryetarin e Komunës, Bilall Kasamin, disa kryetarë komunash të drejtuara nga shqiptarët dhe intelektualë të kësaj komune.

Tutje në njoftim thuhet se vizitën në këtë komunë, Osmani do ta përmbyllë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku para studentëve dhe stafit akademik do të flasë për sfidat rajonale politike dhe ato të sigurisë.