Vjosa Osmani - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Presidentja Osmani i bënë thirrje BE-së që urgjentisht të liberalizojë vizat për Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë fjalimit të saj në Samitin e krerëve të shteteve të Evropës Juglindore ka përmendur edhe çështjen e vizave.

Osmani thuhet se e ka cilësuar të padrejtë përjashtimin e Kosovës nga procesi i liberalizimit të vizave.

“Disa nga mendjet tona më të ndritura, nga studentët e deri te doktorantët, studiuesit apo gazetarët hulumtues, humbasin ditën e tyre të orientimit, ditën e diplomimit, mbrojtjen e doktoratës ose një ngjarje me rëndësi profesionale për shkak të mungesës së vizës, për shkak të ngarkesës së ambasadave ose për shkak të mungesës së mundësisë për të rezervuar termin për aplikim për vizë”, thuhet se ka thënë Osmani.

Osmani tutje i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që urgjentisht të liberalizojë vizat për Kosovën.

Sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës, në fjalimin e saj gjatë Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Presidentja Osmani ka nënvizuar përparimin e Kosovës në zbatimin e reformave që kanë fuqizuar cilësinë e demokracisë dhe sundimin e ligjit.

Osman ka kërkuar që shtetet e rajonit të kenë qëndrim unik në ndalimin e tendencave të Rusisë për destabilizimin e rajonit dhe në miratimin e sanksioneve kundër Rusisë.