Anton Çetta - Foto: Facebook/ Hashim Thaçi

Presidenti Thaçi kujton Anton Çettën në 24 vjetorin e vdekjes

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përkujtuar në 24 vjetorin e vdekjes albanologun e pajtuesin e gjaqeve Anton Çettën.

Sipas Thaçit, Anton Çetta dha kontribut të gjerë humanitar dhe kombëtar, duke pajtuar mijëra raste të gjakmarrjes.

“Më pas, Kosova shkoi drejt luftës çlirimtare me një plagë socialpsikologjike më pak, falënderuar urtësisë së këtij burri dhe dhjetëra aktivistëve tjerë”, ka shkruar presidenti Thaçi në profilin e tij në Facebook.

Ky është postimi i tij i plotë:

“Para 24 viteve vdiq albanologu, humanisti i shquar dhe njeriu i urtë Anton Çetta, që hyri në historinë e re të Kosovës si pajtues i gjaqeve dhe mbledhës i thesarit të çmuar të trashëgimisë sonë folklorike.

Në vitet më të rënda të dekadës së fundit të shekullit që shkoi, Anton Çetta dha kontribut të gjerë humanitar dhe kombëtar, duke pajtuar mijëra raste të gjakmarrjes.

Më pas, Kosova shkoi drejt luftës çlirimtare me një plagë socialpsikologjike më pak, falënderuar urtësisë së këtij burri dhe dhjetëra aktivistëve tjerë, që e shoqëruan atë anembanë Kosovës.”