Presidenti i Këshillit Europian viziton Kosovën
Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa do të zhvillojë takime me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti, në orët e pasdites së 14 majit 2025, në Prishtinë.
Presidenti Costa do të mbajë Konferencë për media me presidenten Osmani, në orën 16:30. Ndërsa, takimin me Kurtin do ta mbajë në orën 18:40 – sipas Njoftimit të Këshillit Europian.
Vizita e tij në Kosovë vjen në kuadër të turit të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë gjithë javës (12-16 maj 2025), për t’u takuar me udhëheqjen politike të partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe për të bashkëorganizuar Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Europian në Tiranë, më 16.05.2024.
“Përmirësimi i bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor është një përparësi kryesore politike për BE-në dhe për mua personalisht. Po vizitoj rajonin për të diskutuar me udhëheqësit, sfidat e vazhdueshme dhe për të treguar se BE është e gatshme të ndihmojë. Ekziston një vrull i qartë zgjerimi, por vrulli kërkon angazhim dhe ndjekje.” – ka deklaruar Costa.
Costa, gjatë një vizite në Sarajevë, më 13.05.2025, shprehu shqetësim për, siç i quajti, ai “veprimet ndarëse të Republikës Sërpska” – duke i cilësuar si kërcënim për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Bosnjë dhe Hercegovinës.
“Erdha në Sarajevë për të përcjellë një mesazh shqetësimi për lëvizjet ndarëse në Republikën Sërpska.” – deklaroi Costa, duke theksuar se tensionet politike po pengojnë bashkëpunimin e brendshëm dhe përparimin në rrugën europiane.
Ai bëri thirrje për uljen e tensioneve dhe për një angazhim të sinqertë të liderëve politikë drejt reformave.
Ndërkaq, më 15.05.2025, Costa do të takohet me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, si dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova në Shkup, e në të njëjtën ditë edhe me kryeminstrin e Shqipërisë Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj në Tiranë.
Para se të vijë në Prishtinë Antonio Costa do të qëndrojë në Podgoricë, ku do të takohet me presidentin e Malit të Zi Jakov Milatoviq dhe me kryeministrin Millojko Spajiq.
Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa ka filluar vizitën e tij në Ballkanin Perëndimor, më 12.05.2025.
Po bëhen gati dy vjet prej kur Kosovës i janë vendosur masat nga Bashkimi Europian, e të cilat pavarësisht thirrjeve brenda e jashtë vendit, vazhdojnë të mos hiqen. Shteti po i vuan pasojat, përderisa vendet e BE-së nuk po arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët për largimin e tyre.
Gjersa krerët e lartë kosovarë, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, në çdo takim me personalitete të larta të cilët vijnë nga shtetet anëtare të BE-së kërkojnë që këto masa të hiqen njëherë e mirë, së fundmi edhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Europian ka përpiluar një Raport – duke e kërkuar pikërisht të njëjtën gjë.