Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Presidenti Hashim Thaçi, kujton marrëveshjen e Kumanovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e 19 vjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës, ka shkruar se me ndihmën e shteteve mike, u parandalua spastrimi etnik, derisa tash Kosova tash është faktor paqeje në rajon dhe storie e suksesit.

“U bënë 19 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë. Bombardimet e pandërprera të NATO-s, 78 ditë me radhë, e dhanë rezultatin e tyre. Ato parandaluan spastrimin etnik, katastrofën humanitare, përshkallëzimin e krizës në rajon dhe detyruan Serbinë t’i tërheqë forcat e saj policore, ushtarake dhe paramilitare nga Kosova”, ka shkruar Presidenti Thaçi.

“Lufta dhe terrori serb kishin zgjatur shumë, por më në fund edhe populli ynë po i kthehej jetës normale. Me ndihmën e shteteve mike, ne e rindërtuam vendin tonë të lirë dhe e bëmë të pavarur e sovran. Kosova tash është faktor paqeje në rajon dhe storie e suksesit”, ka shkruar ai në facebook.