Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet e kandidatëve për kryetar të Malishevës për ujin e pijes në fshatrat e kësaj komune

Kandidatët për kryetar të Malishevës në Debat Pernime kanë dhënë premtime për sigurimin e ujit të pijes për të gjitha fshatrat e Malishevës.

Në Debat Pernime është bërë e ditur se 10 prej 43 fshatrave të Malishevës kanë mungesë të ujit të pijes.

Kandidati nga Partia Demokratike e Kosovës për kryetar të Komunës së Malishevës, Isni Kilaj ka premtuar se brenda dy vitesh do të sigurojë ujë për të gjitha fshatrat e kësaj komune.

“Në objektivat e mia kryesore të qeverisjes së ardhshme është sigurimi i ujit të pijes. Atë do ta bëjmë përmes hidro-sistemit të Radoniqit. Për dy vjet të gjitha fshatrat e Malishevës do të kenë ujë të pijes”, tha ai.

Ndërkaq, kandidati për kryetar të komunës së Malishevës, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Bajrush Hoti përmendi projektin e Radoniqit për Malishevë, duke cituar kryeshefin e kompanisë së ujësjellësit.

“Premtimet e tij janë që projekti implementohet për 1 vit e gjysmë apo dy vite dhe kushton 5 milionë euro si i tërë, që të implementohet. Mund ti sigurojmë përmes donacioneve”, tha ai.

Kurse, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Malishevës, Kastriot Berisha tha se qysh në vitin e parë do të angazhohen për rritjen e kapaciteteve të rezervuarëve të ujit.

“Kapacitetet e tyre do të rriten për 200 për qind. Kjo do të bëhet brenda vitit të parë”, tha ai.

Në anën tjetër, kandidati për kryetar të Komunës së Malishevës, Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje në Debat Pernime ka thënë se brenda mandatit të parë qeverisës do ta zgjidhë këtë çështje.

“Deri në fund të mandatit, uji do të jetë realitet, në të gjitha fshatrat”, theksoi ai.

Ndërsa, kandidati i pavarur për kryetar të Malishevës Selajdin Bytyçi ka thënë se ai do të bëjë një tjetër zgjidhje për mungesën e ujit.

“Unë në vitin e parë do të fillojë ndërrimin e gypave aktual dhe me dy inxhinierë të mi, të ujërave, me të cilët kemi gjetur një burim në mes fshatit Pagarushë dhe Morali”, tha ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Malishevës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Malishevës, Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje, Bajrush Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Isni Kilaj nga Partia Demokratike e Kosovës, Kastriot Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Selajdin Bytyci, kandidat i Pavarur.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Malishevës: Marigona Ramaj AAK, Sadije Krasniqi LVV, Trëndelinë Begaj LDK.