Pranon fajësinë për 12.39 gram narkotikë, dënohet me 1,700 euro

Gjykata në Prizren, e ka gjetur fajtor dhe e ka dënuar me 1,700 euro Isuf Rakajn për veprën posedim i narkotikëve.

Vepra penale, sipas Prokurorisë ishte kryer me datë 25 qershor 2021.

Sipas dosjes, gjatë kontrollit në terren, i akuzuari Rakaj vëren se zyrtarët policorë ishin nisur drejtë tij, i njëjti nxjerr nga xhepi i pantallonave disa qese duke i hedhur në një pusetë dhe tenton të ikë nga vendi i ngjarjes, mirëpo Rakaj ndalohet nga njësiti i policisë.

Pas kësaj, zyrtarët policor nxjerrin 12 qese të najlonit të mbushura me marihuanë me peshë prej 8.47 gram si dhe një qese së bashku me një letër me marihuanë me peshë prej 3.92 gram, si sasi e përgjithshme 12.39 gram si dhe një pako letra “Rizla”.

Me këtë, Isuf Rakaj akuzohet se ka kryer veprën penale posedim i paautorizuar i narkotikëve.

Paraprakisht, në seancën e shqyrtimit fillestar ku u dha fjala hyrëse dhe ajo përfundimtare, i akuzuari Rakaj, e ka pranuar fajësinë për veprën me të cilën u ngarkua.

“Ndihem fajtor për veprën penale, jam penduar shumë dhe nuk do ta përsërisë më këtë vepër”, tha Rakaj para gjykatës.

Pranimi i fajësisë nga i akuzuari u mbështet nga prokurori i rastit Genc Nixha, ndërsa u aprovua nga gjykatësja e krimeve të rënda Raima Elezi.

Me rastin e shpalljes se aktgjykimit, i akuzuari Rakaj, u dënua me 3 muaj burgim dhe me 600 euro gjobë.

Mirëpo, me pëlqimin e të akuzuarit, dënimi me burgim i është zëvendësuar me 2,000 euro gjobë. Kurse, në shumën prej 2,000 euro i është zbritur koha e kaluar në paraburgim prej 45 ditësh, me ç’rast i është shqiptuar dënimi unik prej 1,700 euro gjobë.

I akuzuari, gjithashtu është i obliguar që t’i paguaj edhe shpenzimet procedurale, në shumën prej 100 eurove për paushallin gjyqësor dhe 30 euro në emër të kompensimit të viktimave.

Me anë të këtij aktgjykimi, të akuzuarit gjithashtu i është konfiskuar edhe sasia e narkotikëve të gjetur.