Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Politikat që do të shtyjnë përpara kandidatet gra për Asamblenë e Obiliqit

Kandidatet gra për Kuvendin Komunal të Obiliqit kanë shpalosur prioritetet e tyre në Debat Pernime, nëse arrijnë të sigurojnë mandat në zgjedhjet e 17 tetorit.

Adelina Isufaj nga Aleanca ‘Kosova e Re’ tha se do të angazhohet për rininë dhe gratë.

“Unë do të jem zë për rininë. Nuk do të përkrahi tema të tjera që nuk kanë të bëjnë me interesin e qytetarëve të Obiliqit. Do të punojë për avancimin e grave”, tha Isufaj.

Anita Krasniqi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaroi se do të punojë që të dyfishohet buxheti për kulturë, rini dhe sport.

“Do të punoj për kulturë, rini dhe sport, do të punoj për dyfishim të buxhetit. Do të krijohen fusha sportive në të gjitha lokalitetet e komunës së Obiliqit. Do të digjitalizohet biblioteka dhe do të rifunksionalizohet shtëpia e kulturës në Milloshevë”, ka thënë Krasniqi.

Elza Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se do të punojë për gratë dhe të rinjtë e Obiliqit.

“Do të adresoj problemet e grave, vajzave dhe të rinjve. Sigurisht dhe do t’i mbështesë. Do të punojnë në organizimin e festivalit “Obiliq këndon” e po ashtu të ketë edhe kinema të qytetit”, ka thënë Krasniqi.

Lendita Bekteshi- Memishi tha se do të punojnë për subvencionimin e nënave vetushqyese.

“Ne do të punojmë për subvencionimin e grave nëna ushqyese e grave që kanë biznese”, ka thënë Bekteshi- Memishi.

Linda Sadiku – Krasniqi nga LDK tha se nëse bëhet asambliste, e ka prioritet punësimin e grave.

“Kjo do të thotë mundësi për gratë të cilat janë shumë të zonja, ku përmes punimeve artizanale t’i qasen tregut”, tha ajo duke shtuar se do të përkrahë edhe Qendrën Rinore në këtë komunë.

Kurse, kandidatja për asambliste Nora Preniqi nga Lëvizja për Bashkim premtoi vendosjen e një mamogrami në QKMF.

“Pastaj në arsim, prioritet i yni do të jetë digjitalizimi i procesit mësimor në të gjitha shkollat e komunës sonë. Po ashtu do t’i përkrahim dhe do t’i ofrojmë mundësinë për arsimim të gjitha komuniteteve sepse jemi komunë multietnike. Do ta ngris zërin fuqishëm që në Kuvend Komunal të zbatohet Ligji për Obiliqi, kryesisht në fushën e ambientit”, tha ajo.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Obiliqit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Obiliqit: Ajet Berisha nga Lëvizja për Bashkim; Halil Thaçi nga LVV; Hanefi Musliu nga PDK; Mehmet Krasniqi nga LDK; Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliq dhe Xhelal Krasniqi nga AAK. Gjithashtu kandidat për kryetar të Obiliqit është edhe Goran Danqetoviq nga Lista Serbe por i njëjti nuk ka ardhur në debat. 

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Obiliqit: Adelina Isufaj nga AKR; Anita Krasniqi nga AAK; Elza Krasniqi nga LVV; Lendita Bekteshi Memishi nga Iniciativa Qytetare për Obiliq; Linda Sadiku Krasniqi nga LDK dhe Nora Preniqi nga Lëvizja për Bashkim.