Foto Ilustrim: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Policia tregon pse u anulua "Beerfest Kosova"

Policia e Kosovës ka bërë të ditur arsyet se pse është refuzuar kërkesa për mbajtjen e festivalit “Beerfest Kosova” në Prishtinë.

Në njoftim thuhet se refuzimi është bazuar në Ligjin për tubimet publike, më saktësisht nenet 8 paragrafi 1, pika 1.4 dhe neni 18 paragrafi 10 pika 10.4.

Neni 8 i Ligjit për Tubimet Publike paragrafi 1 pika 1.4 thotë se “se ekzistojnë arsye të konsiderueshme se në tubim do të mund të përdorej dhunë”.

Neni 18 i këtij Ligji paragrafi 10, pika 10,4 thotë se “se ekzistojnë arsyet bazë se mbajtja e manifestimit publik do të cenojë sigurinë e përgjithshme, rendin dhe qetësinë, do të dëmtoj moralin publik, shëndetin e përgjithshëm apo do të ndotë ambientin”.

“Përveç ankesave të shumta të qytetareve që kemi pasur në të kaluarën për zhurmën, bllokimin e komunikacionit, prishje te rendit dhe qetësisë publike, veprat penale ku është rrezikuar edhe jeta e qytetarëve, problem paraqet edhe numri i madh i qytetareve që e frekuentojnë lokacionin të cilin e ka propozuar organizatori ( ku sipas organizatorit do te marrin pjese 2000 deri 3000 pjesëmarrës në një lokacion që nuk ka kapacitet të akomodoj këtë numër të pjesëmarrësve)”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia ka thënë se zyrtarët kompetent nga stacioni “Qendra”, i kanë rekomanduar organizatorit të festivalit “Beerfest” që të gjejnë një lokacion me të përshtatshëm për mbajtje të eventit.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar qe te mbështes aktivitetet dhe organizimet ne përputhje me Ligjin për tubime publike”, thuhet në fund të njoftimit të Policisë së Kosovës.

Në anën tjetër organizatorët e “Beer Fest” gjatë ditës kanë njoftuar për anulimin e këtij aktiviteti i cili ishte paraparë të mbahet nga dita e nesërme deri në të dielën.

Anulohet festivali “Beerfest Kosova” (FOTO)