Policia reagon pas videos së publikuar nga Lista Serbe

Policia e Kosovës ka reaguar pas një video të publikuar nga Lista Serbe në të cilën shihet një grua me fëmijën e saj duke komunikuar me zyrtarë policorë.

Lista Serbe ka pretenduar se zyrtarët policorë që kanë qenë në pikë kontrolli po shqetësojnë banorët me prezencën e tyre.

Sipas forcave të rendit, njësiti policor i rendit publik nga stacioni policor Zveçan, si zakonisht ka filluar me pikë kontrolli në qendrën e Zveçanit, për t’u kujdesur për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve dhe parandalimin e veprimtarive të ndryshme kriminale.

Policia thotë se përgjatë realizimit të pikës së kontrollit, diku rreth orës 21:45 afër njësisë policore ka shkuar një grua me një fëmijë në dorë, e cila iu ka adresuar zyrtarëve policorë me pyetjet se pse po mbani pika kontrolli, pse po i ndaloni veturat, pse po na shqetësoni, kinse edhe burri i saj ka ardhur i shqetësuar në shtëpi kur ka kaluar me automjet këndej pari pranë patrullës policore etj.

Pas kësaj, thonë se zyrtarët policorë e kanë njoftuar atë se ata janë aty për të ofruar siguri dhe se janë në shërbim të të gjithë banorëve të Zveçanit.

Policia shton se gruaja në fjalë së bashku me fëmijën nuk janë ndaluar fare nga organet e rendit, dhe sipas tyre, e njëjta ka shkuar vetë tek njësia policore për të komunikuar me ta.

“Andaj, bazuar në raportet zyrtare, vërtetohet se Policia e Kosovës përmes sjelljes profesionale vazhdon të mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, dhe njëkohësisht fton të gjithë qytetarët që për çfarëdo rasti apo kërkese t’i adresohen institucionit policor për trajtimin e tyre” – ka deklaruar Policia e Kosovës në një komunikatë për media.