Policia në veri tentoi ta ndalonte një kamion por u pengua nga dy makina pa targa

Në orët e mbrëmjes KALLXO.com raportoi se një patrullë e Policisë së Kosovës ishte bllokuar nga  qytetarë serbë me disa makina pa tabela në hyrje të tunelit të parë te Liqeni i Ujmanit.

Sipas njoftimit të Policisë, zyrtarët policorë gjatë patrullimit në atë pjesë kishin vërejtur një kamion i cili dyshohej për kontrabandim mallrash.

Por gjatë tentimit për ta ndaluar ata janë penguar nga dy automjetet pa targa, duke ua pamundësuar Policisë së Kosovës ta ndalonin kamionin.

Policia ka konfirmuar se njësi të tjera policore janë thirrur për t’i ardhur në ndihmë patrullës e cila ishte bllokuar nga makinat pa targa.

Organet e rendit nuk kanë raportuar për të lënduar.